Showbiz
Vetëm 15 vjeçe, shqiptarja që po spikat në skenën e huaj
24 Korrik, 2026 | 8:47 am

Jemi mësuar të flasim për yjet shqiptarë që kanë arritur famë ndërkombëtare, si Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha apo Ava Max, por edhe për emra si Loredana, e njohur gjerësisht në tregun gjermanofolës dhe mes shqiptarëve.
Një tjetër emër i ri po përpiqet të ndërtojë rrugën e saj në muzikë. Bëhet fjalë për Lionella Jakaj, vetëm 15 vjeçe, e cila ka tërhequr vëmendjen me pjesëmarrjen e saj në “The Voice Kids”, ku arriti deri në finale.
Lionella jeton së bashku me familjen në Vjenë të Austrisë, ndërsa familja e saj e ka origjinën nga Fshaj i Gjakovës.
Prej rreth shtatë vitesh ajo merret me muzikë dhe në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, publikon interpretime ku spikat pasioni i saj për rap-in në gjuhën gjermane. Krahas muzikës ndërkombëtare, 15-vjeçarja dëgjon edhe artistë shqiptarë si Tayna, Don Xhoni, Mozzik, Getinjo dhe Unikkatil.
Një prej artisteve që ajo admiron më së shumti është Loredana. Pikërisht me një prej këngëve të saj Lionella është prezantuar para jurisë së talent show-t, duke treguar aftësitë e saj në skenë.
Tashmë e reja po përgatitet të hedhë një tjetër hap në rrugëtimin e saj artistik. Më 24 korrik pritet të publikojë projektin e parë muzikor, i cili, sipas informacioneve të bëra të ditura, është edhe krijim i saj.
Vetëm 15 vjeçe dhe me vite përvojë në muzikë, Lionella Jakaj është një emër i ri shqiptar që synon të ndërtojë karrierën e saj në skenën europiane.












































