Kryefjala Logo

“Thërrisja vetëm ‘ndihmë’”, Armela Hyseni rrëfen momentin e frikshëm në det: Një djalë më shpëtoi

21 Korrik, 2026 | 3:37 pm

Në rubrikën “Trotuar” të emisionit “E Diell”, këtë herë në qendër të diskutimit ishin pushimet verore, kujtimet më të bukura, por edhe eksperiencat e frikshme që të ftuarit kanë përjetuar gjatë viteve.

Mes rrëfimeve ishte edhe ai i Armela Hysenit, ish-banore e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”, e cila kujtoi një episod të frikshëm nga fëmijëria.

Armela tregoi se, teksa ndodhej në plazh së bashku me familjen, kishte rrezikuar të mbytej pasi kishte rënë në një gropë në det. Në atë periudhë ajo nuk dinte ende të notonte dhe përdorte krahëza për të qëndruar mbi ujë.

Sipas rrëfimit të saj, në një moment ia kishte dhënë krahëzat një çifti që ia kishte kërkuar dhe, teksa përpiqej të kthehej drejt bregut, kishte përfunduar në një pjesë më të thellë.

“Duke u munduar të kthehesha sërish në breg, rashë te një gropë thithëse. Nuk dilja dot, thërrisja vetëm ‘ndihmë’. Më pa një djalë që më shpëtoi”, tregoi Armela.

Ish-banorja e BBVA shtoi se kjo eksperiencë e fëmijërisë ka ndikuar tek ajo edhe shumë vite më vonë, pasi edhe sot e ka të vështirë të ndihet e sigurt kur noton.

“Edhe sot e kësaj dite e kam shumë të vështirë të bëj not”, u shpreh ajo.

Të ngjashme