Showbiz
“Ke gëzuar familjen time”, deklarata surprizuese e babait të Selinës për Gimbon
21 Korrik, 2026 | 1:26 pm

Mbrëmjen e djeshme, Selin Bollati dhe DJ Gimbo, çifti i krijuar gjatë edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”, ishin të ftuar në emisionin “Prime Verë” në Kanal10, përballë moderatorëve Shëndrit Lumi dhe Saranda Bujupi Rama.
Dyshja foli për jetën pas përfundimit të eksperiencës në BBVA, angazhimet profesionale, marrëdhënien e tyre, si dhe planet që kanë për të ardhmen.
Një nga momentet më emocionuese të intervistës erdhi kur DJ Gimbo u surprizua me një mesazh të veçantë nga Toni, babai i Selinës, i cili jeton larg Shqipërisë.
Në mesazhin e tij, ai shprehu hapur vlerësimin për partnerin e vajzës së tij, duke treguar se Gimbo ka arritur të fitojë jo vetëm zemrën e Selinës, por edhe dashurinë e familjes së saj.
“Ashtu siç të ka bekuar familja me emrin Gëzim, ashtu je. Në çdo hap që hedh gëzon njerëz. Ke gëzuar familjen tënde, ke gëzuar edhe familjen time. Ju puth fort të dyve, shihemi atje, te vendi”, ishte mesazhi i tij.
I emocionuar nga fjalët e babait të Selinës, Gimbo e falënderoi publikisht, duke iu përgjigjur: “Shumë faleminderit, të dua”.
Gjatë intervistës, Selin dhe Gimbo u kthyen gjithashtu te fillimet e historisë së tyre. I pyetur për përshtypjet nga takimi i parë mes tyre, Gimbo u shpreh shkurt se gjithçka kishte shkuar “shumë mirë”.
Paraqitja e tyre e përbashkët tregoi se marrëdhënia e nisur në “Big Brother VIP Albania” po vazhdon edhe jashtë shtëpisë, ndërsa dyshja duket se po mendon edhe për të ardhmen së bashku.











































