Lifestyle
Bashkimi Europian drejt kufizimit të rrjeteve sociale për të miturit
15 Korrik, 2026 | 9:24 am

Bashkimi Europian po shqyrton vendosjen e rregullave të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët, me synimin për të forcuar mbrojtjen e tyre në internet.
Propozimet përfshijnë vendosjen e kufijve të moshës, kufizimin e pjesshëm të aksesit apo, në disa raste, ndalimin e plotë të përdorimit të platformave sociale për grupmosha të caktuara.
Një nga idetë kryesore është që kompanitë e rrjeteve sociale të jenë të detyruara të provojnë se platformat e tyre janë të sigurta për përdoruesit e mitur, përpara se këta të lejohen t’i përdorin.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se ekzekutivi i BE-së mund të paraqesë një propozim konkret në muajt e ardhshëm, pasi të shqyrtojë rekomandimet e një grupi ekspertësh.
“Fëmijët tanë kanë nevojë të kalojnë kohë në botën reale. Të luajnë, të krijojnë miqësi dhe të formojnë identitetin e tyre, përpara se algoritmet ta bëjnë këtë për ta”, u shpreh ajo.
Ekspertët propozojnë një qasje graduale sipas moshës. Ata rekomandojnë që fëmijët nën 3 vjeç të mos ekspozohen fare ndaj ekraneve, ndërsa për ata nën 13 vjeç përdorimi i internetit të bëhet vetëm nën mbikëqyrjen e prindërve. Për adoleshentët më të rritur parashikohen masa dhe kufizime të tjera mbrojtëse.
Komisioni Europian pritet të analizojë raportin dhe të paraqesë propozimet pas verës. Nëse miratohen, rregullat e reja do të duhet të marrin edhe mbështetjen e Parlamentit Europian dhe të 27 shteteve anëtare të BE-së përpara se të hyjnë në fuqi.
Nëse kjo nismë realizohet, Bashkimi Europian do t’i bashkohet vendeve si Mbretëria e Bashkuar dhe Australia, të cilat tashmë kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët.















































