Kryefjala Logo

Tragjedi në Bruksel, zjarri në kantier ndërtimi lë të paktën 20 viktima

14 Korrik, 2026 | 7:16 pm

Një zjarr i rëndë në një kantier ndërtimi në Bruksel ka shkaktuar një tragjedi, ku disa persona kanë humbur jetën, ndërsa autoritetet vijojnë operacionin e kërkimit për gjashtë punëtorë që rezultojnë ende të zhdukur.

Sipas autoriteteve belge, një numër trupash u gjetën në një nga dy ashensorët e kantierit, pjesë e projektit të madh të rikonstruksionit në sheshin qendror Place de Brouckère.

Raportimet paraprake flasin për të paktën 20 viktima, megjithëse autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rëndohet me përparimin e kërkimeve.

Zëdhënësi i inspektoratit belg të punës, Brecht Speybrouck, deklaroi se ekipet e shpëtimit patën mundësi të hynin vetëm pjesërisht në njërën prej kabinave të ashensorit, ku u konstatuan disa viktima.

Ndërkohë, gjashtë punëtorë rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa shkaku i zjarrit mbetet ende nën hetim.

Sipas shërbimit zjarrfikës, në momentin e shpërthimit të flakëve në kantier ndodheshin mbi 200 punëtorë. Tre persona janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Mediat belge raportojnë se zjarri fillestar, i shpërthyer në katet e poshtme të ndërtesës, u vu shpejt nën kontroll. Megjithatë, flakët u përhapën përmes boshteve të ashensorëve, duke shkaktuar një vatër të dytë zjarri në një kat nëntokësor dhe duke e bërë shumë të vështirë evakuimin e punëtorëve.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vijon.

Të ngjashme