Lajme
Tragjedia në Klos! Gjendet trupi i Erkin Likës pas dy ditësh kërkime intensive, ra teksa fotografonte ekipin
13 Korrik, 2026 | 2:52 pm

Pas dy ditësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i 35-vjeçarit Erkin Lika, i cili humbi jetën pasi u rrëzua gjatë një aktiviteti ngjitjeje në shkëmbinj pranë Urës së Vashës, në Klos.
Erkin Lika, anëtar i një grupi shqiptar të kërkim-shpëtimit, ndodhej së bashku me ekipin kur ndodhi ngjarja tragjike. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se humbi ekuilibrin teksa po fotografonte pjesëtarët e grupit, duke rënë fillimisht në humnerë dhe më pas në lumin Mat.
Menjëherë pas sinjalizimit, në zonë u angazhuan forca të shumta kërkim-shpëtimi. Për shkak të terrenit tepër të vështirë, operacionit iu bashkuan edhe ekipe të specializuara nga Kosova, të cilat asistuan në gjetjen dhe nxjerrjen e trupit.
Lajmi për gjetjen e 35-vjeçarit u konfirmua edhe nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila bëri të ditur se trupi u lokalizua pranë Urës së Vashës.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër dhe me koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Në aksion morën pjesë rreth 90 efektivë dhe vullnetarë, mes tyre Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, RENEA, polumbarë, zjarrfikës, ekipe të kërkim-shpëtimit dhe vullnetarë. Mbështetje dhanë edhe ekspertë të kërkim-shpëtimit nga Kosova.
Pas përfundimit të operacionit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe falënderoi të gjitha strukturat e përfshira për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit.

















































