Lajme
Momente paniku në Valbonë, turistja australiane shpëton pasi u pickua nga nepërka
29 Qershor, 2026 | 9:35 am

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas rastit të turistes australiane Amy Lecons, e cila u pickua nga një nepërkë me bri në Alpet Shqiptare, një prej gjarpërinjve më helmues që gjenden në vend.
Sipas ministrisë, menjëherë pasi u mor njoftimi për incidentin, ekipet mjekësore të Qendrës Shëndetësore Verore në Valbonë ndërhynë me shpejtësi, duke i dhënë ndihmën e parë në terren dhe duke organizuar transportimin e saj drejt strukturave shëndetësore për trajtim të specializuar.
Autoritetet bëjnë të ditur se, falë reagimit të shpejtë të personelit mjekësor, koordinimit të institucioneve dhe ndihmës së banorëve të zonës, turistja mori trajtimin e nevojshëm dhe tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, vetë Amy ka ndarë në rrjetet sociale një video të regjistruar pas momentit të pickimit, ku rrëfen gjithë përvojën dhe vështirësitë që kaloi gjatë kësaj ngjarjeje.
“Në zemër të Alpeve Shqiptare, edhe në zonat më të thella malore, strukturat tona shëndetësore mbeten në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë dhe jetën e çdo turisti.
Pas njoftimit për një turiste australiane, Amy Lecons, e dyshuar se ishte pickuar nga një gjarpër në një zonë të thellë të Valbonës, ekipet mjekësore të Qendrës Shëndetësore Verore në Valbonë reaguan menjëherë, duke ofruar ndihmën e parë në terren dhe transportin e pacientes drejt strukturave shëndetësore.
Falë profesionalizmit, koordinimit dhe përkushtimit të personelit shëndetësor, si edhe mbështetjes së banorëve të zonës, pacientja mori trajtimin e nevojshëm dhe tashmë gëzon shëndet të plotë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.



















































