Kryefjala Logo

Publikohen pamjet/ Momenti kur Gjesti shkon me armë në ambientet e Onima, reagon këngëtari: Ju betohem që…

4 Qershor, 2026 | 10:09 am

Një video e re që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka rikthyer në vëmendje çështjen e shumëpërfolur mes Gjestit dhe kompanisë muzikore Onima.

Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur reperi shfaqet pranë ambienteve ku ndodhej pronari i kompanisë, Erkand Shabani.

Në pamjet e publikuara nuk dëgjohet audio dhe nuk mund të konfirmohet nga videoja e vetme se çfarë është thënë apo çfarë ka ndodhur para dhe pas momentit të filmuar.

Pas qarkullimit të këtyre pamjeve, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i vetë artistit përmes një shkrimi të gjatë në Instastory.

Gjesti ka akuzuar drejtuesit e kompanisë për manipulim të videove dhe për vjedhje të punës së tij, duke pretenduar se pamjet janë montuar për të dëmtuar imazhin e tij publik:

“Kompania dhe njeriu që përfituan nga djersa ime, që ma vodhën bukën e gojës dhe që më bënë të dal nga vetja, tani paskan filluar edhe me fushata të reja – ato të prerjes së videove, shfaqjen e një realiteti të manipuluar dhe dëmtimit të imazhit tim. Unë, të gjithë shqiptarëve që mund të jenë shqetësuar nga këto video, ju betohem se këto video janë të prera dhe nuk pasqyrojnë realitetin.”

Këngëtari ka ngritur dyshime se nga materialet e publikuara janë hequr qëllimisht pjesët ku ai vetë ka qenë i kërcënuar, duke shtuar se stafi i kompanisë nuk është ndier i rrezikuar prej tij:

“Ku është video kur mua më drejtohet arma vetëm pse kërkoj që të më paguhet mundi im? Ku është video ku i gjithë stafi i asaj kompanie qëndron me mua i pashqetësuar dhe i parrezikuar gjatë gjithë kësaj ngjarjeje?”

Më tej, Gjesti ka hedhur akuza të rënda për falsifikim dokumentesh, duke thënë se kompania ka përfituar prej tij ndër vite pa dijeninë e tij. Ai ka pranuar pjesën e tij të fajit për ngjarjen, por ka kërkuar që edhe pala tjetër të përballet me ligjin:

“Mos të harrojmë se kjo kompani dhe pronari i saj janë ata që ma kanë falsifikuar nënshkrimin tim dhe, pa dijeninë time, ndër vite kanë përfituar nga puna dhe djersa ime. Unë kam pranuar fajin tim dhe do t’i bart pasojat, por tani është koha që këta persona të lig të pranojnë krimet e tyre. Përndryshe, koha iu ka mbaruar dhe fytyra e vërtetë e tyre po u shfaqet dita-ditës.”

Në mbyllje të reagimit, këngëtari ka deklaruar se beson tek organet e drejtësisë në Kosovë dhe është i bindur se hetimet e nisura do të zbardhin të vërtetën e plotë të këtij konflikti:

“Unë besoj në shtetin e Republikës së Kosovës, besoj në drejtësi, besoj në Prokurori dhe në Gjykatë, dhe me bindje të plotë them se askush nuk do të bjerë pre e këtyre akteve keqdashëse, përçarëse dhe manipuluese. Për më tepër, kam bindjen dhe besimin se hetimet ndaj këtyre personave kanë filluar dhe se krimet e tyre do të marrin dënimin e merituar.”

Të ngjashme