Kryefjala Logo

“Lamtumirë” kartëmonedhës 500 euro: vendimi i ri i Bankës Qëndrore Evropiane. Çfarë pritet të ndodhë?

23 Prill, 2026 | 2:54 pm

Banka Qendrore Evropiane ka vendosur t’i japë fund përfundimisht kartëmonedhës 500 euro, një nga prerjet më të larta të monedhës së përbashkët, që prej vitesh ka qenë në qendër të debateve për përdorimin e saj në aktivitete të paligjshme.

Vendimi nuk është i papritur. Në fakt, prodhimi i kësaj kartëmonedhe ishte ndalur që në vitin 2019 dhe ajo nuk ishte më pjesë e serisë së re të eurove. Tashmë, me planet për dizajnin e ri të kartëmonedhave, konfirmohet se prerja 500 euro nuk do të rikthehet më në qarkullim.

Arsyeja kryesore lidhet me luftën kundër krimit financiar. Kartëmonedha 500 euro është konsideruar shpesh si një mjet i përshtatshëm për transportimin e shumave të mëdha parash në hapësira të vogla, duke lehtësuar aktivitete si pastrimi i parave apo financimi i paligjshëm.

Megjithatë, për qytetarët nuk ka vend për panik. Edhe pse nuk do të prodhohet më, kartëmonedha 500 euro vazhdon të ketë vlerë ligjore dhe mund të përdoret për pagesa ose të këmbehet në çdo kohë në bankat qendrore të vendeve të eurozonës.

Në të njëjtën kohë, BQE po përgatit një seri të re kartëmonedhash me dizajn të përditësuar, ku do të mbeten vetëm prerjet nga 5 deri në 200 euro.

Ky është një hap i rëndësishëm në strategjinë e institucioneve evropiane për të modernizuar sistemin monetar dhe për të kufizuar përdorimin e parasë cash në aktivitetet e paligjshme, duke nxitur njëkohësisht edhe përdorimin e pagesave elektronike.

Të ngjashme