Lifestyle
Kujdes çfarë mban ende në kuzhinë: Këto enë mund të rrezikojnë shëndetin pa e kuptuar
8 Shkurt, 2026 | 2:27 pm

Edhe pse mund të mos duket, jemi vetëm pak javë larg pranverës, stina që zakonisht na shtyn të bëjmë një “pastrim të madh” në shtëpi. Shpesh përqendrohemi te rrobat, zakonet apo gjërat personale, por rrallëherë mendojmë për enët dhe pajisjet e kuzhinës që përdorim çdo ditë.
Sipas ekspertëve, mbajtja për shumë kohë e disa objekteve të kuzhinës mund të mos jetë vetëm çështje rehatie, por edhe shëndeti. Disa materiale mund të çlirojnë kimikate të dëmshme me kalimin e kohës.
Profesori Andrew Turner, specialist në biogjeokiminë mjedisore në Universitetin e Plymouth, thekson se kimikatet si plumbi, ftalatet apo bisfenolët nuk japin efekt të menjëhershëm, por ekspozimi i vazhdueshëm mund të shkaktojë probleme afatgjata.
Megjithatë, ai nënvizon se nuk ka vend për panik mjafton të jemi të kujdesshëm dhe të dimë kur është momenti për të zëvendësuar disa pajisje.
Shishet e ujit
Nëse shishja ka erë edhe pas pastrimit, është e çarë, e turbullt ose ka ndryshuar ngjyrë, duhet zëvendësuar. Me kalimin e kohës dhe nxehtësinë, sidomos në shishet plastike, mund të çlirohen substanca kimike si BPA, që lidhet me ndikime të mundshme në sistemin hormonal, riprodhues dhe imunitar.
Shishet prej alumini rekomandohet të përdoren vetëm për ujë, pasi lëngjet acidike mund të dëmtojnë shtresën e brendshme. Ndërsa shishet prej çeliku inox janë më rezistente, çdo shenjë korrozioni tregon se nuk janë më të sigurta për përdorim.
Tiganët me shtresë jo-ngjitëse
Tiganët Teflon përmbajnë substanca të grupit PFAS, të lidhura nga studime të ndryshme me probleme si sëmundje të tiroides, dëmtime të mëlçisë dhe rrezik të shtuar për kancer.
Nëse shtresa jo-ngjitëse është gërvishtur, zhveshur apo ka filluar të copëtohet, tigani duhet zëvendësuar menjëherë. Për të shmangur dëmtimet, rekomandohet përdorimi i lugëve prej druri.
Enët qeramike
Edhe enët moderne mund të përmbajnë nivele plumbi ose kadmiumi. Nëse filxhanët, pjatat apo tasat kanë çarje, krisje apo sipërfaqe të dëmtuar, ato duhet hequr nga përdorimi.
Ngjyrat si e kuqja, portokallia dhe e verdha kanë më shumë gjasa të përmbajnë këto metale. Enët dekorative rekomandohet të mos lahen në lavastovilje, pasi mund të dëmtohen dhe të çlirojnë substanca të padëshiruara.
Gjithashtu, enët e çara mund të mbajnë lagështi dhe të strehojnë baktere.
Gotat
Xhami në vetvete është material i qëndrueshëm, por dekorimet mund të përmbajnë plumb ose kadmium. Nëse boja është gërvishtur apo po bie, gota duhet ricikluar.
Kujdes i veçantë duhet treguar me kristalin e vjetër që mund të përmbajë plumb. Lëngjet acidike dhe ruajtja e gjatë e pijeve në këto enë rrisin rrezikun e transferimit të plumbit.
Ekspertët rekomandojnë që objekte të tilla të përdoren më shumë për dekor ose vetëm për periudha të shkurtra përdorimi.
Në përfundim, pastrimi i pranverës nuk duhet të kufizohet vetëm te garderoba apo ambientet e shtëpisë. Kontrolli i enëve dhe pajisjeve të kuzhinës është një hap i rëndësishëm për të shmangur ekspozimin e panevojshëm ndaj kimikateve dhe për të garantuar një gatim më të sigurt për gjithë familjen.

















































