Sport
12 vite nga aksidenti i Michael Schumacher, si arriti familja të fshehë gjendjen e tij për më shumë se një dekadë
29 Dhjetor, 2025 | 8:32 pm

Sot, më 29 dhjetor, Michael Schumacher kujtohet me një ndjenjë të veçantë nga bota e sportit dhe miliona fansa anembanë globit. Pikërisht në këtë ditë, në vitin 2013, legjenda e Formula 1 pësoi aksidentin e rëndë gjatë skijimit në Méribel të Francës, ku goditi kokën në një shkëmb. Kanë kaluar dymbëdhjetë vite që nga ajo ditë dramatike dhe, edhe sot, informacionet për gjendjen e tij shëndetësore mbeten tepër të pakta.
Familja Schumacher, përmes një rrethi shumë të ngushtë dhe një qëndrimi strikt ndaj privatësisë, ka arritur ndër vite të mos lejojë pothuajse asgjë të bëhet publike mbi shëndetin e pilotit që e lidhi në mënyrë të pazgjidhshme emrin e tij me Ferrarin dhe historinë e Formula 1.
Aksidenti që ndryshoi gjithçka
Në vitin 2012, pas përfundimit të aventurës trevjeçare me Mercedes-in, Michael Schumacher i dha fund karrierës në Formula 1 në moshën 43-vjeçare, pak para se të mbushte 45 (ai ka lindur më 3 janar 1969). Vetëm pak muaj më vonë, në 29 dhjetor 2013, “Kaiser Schumi” pësoi aksidentin tragjik në ski.
U bë e ditur se helmeta që mbante ishte copëtuar nga përplasja. Schumacher u shtrua në spital në gjendje kome dhe më pas u transferua në Lozanë, në Zvicër. Pas kësaj, nisi një heshtje totale. Familja kërkoi privatësi dhe kjo u respektua. Për gati një vit nuk u dha asnjë informacion zyrtar.
Në shtator të vitit 2014 u njoftua se Schumacher ishte transferuar në banesën e tij, ku vazhdon të marrë trajtim mjekësor të nivelit më të lartë nga një staf i specializuar mjekësh dhe infermierësh që kujdesen për të çdo ditë.
Fjalët e rralla që mbajtën gjallë shpresën
Që prej asaj kohe, vetëm pak persona kanë pasur mundësinë ta vizitojnë. Mes tyre është Jean Todt, njeriu që e solli Schumacher-in te Ferrari dhe që herë pas here ka dhënë ndonjë informacion të vogël.
Në vitin 2020, ai u shpreh për Daily Mail:
“E pashë Michael-in javën e kaluar, ai po lufton bashkë me familjen e tij.”
Më pas, Todt zbuloi se takimet e tyre ndodhnin disa herë në muaj dhe se kishin parë së bashku edhe disa gara të Formula 1 një detaj i vogël, por domethënës për fansat.
Sot, 29 dhjetor, nuk është thjesht një datë në kalendar, por një ditë kujtese për një kampion që ndryshoi historinë e sportit dhe që vazhdon të jetojë në zemrat e publikut, edhe në heshtje.


















































