Kryefjala Logo

Aksident i rëndë në Gjermani, Ministria e Jashtme jep lajmin : Tre shqiptarë kanë vdekur, katër janë në spital

25 Maj, 2025 | 8:24 pm

Ministria e Jashtme e Shqipërisë njofton se tre shtetas shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në Autobahn 48 në Gjermani, pranë qytetit Koblenz të Rheinland-Pfalz. Disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, thotë komunikata për shtyp.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, datë 25 Maj dhe Ministria e Jashtme bën me dije se është informuar nga autoritetet gjermane për këtë aksident të rëndë rrugor.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit. Për çdo informacion shtesë, lutemi të kontaktoni në: +49 1523 79 13 997”, njofton Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Pamje nga aksidenti i shqiptareve ne Gjermani
Newsbomb.al mëson se shqiptarët kanë qenë në një festë familjare dhe po ktheheshin në shtëpi në orët e para të mëngjesit, me një minibus, kur për rrethana ende të panjohura mjeti ka dalë jashtë rruge dhe tre persona kanë vdekur, kurse katër të tjerë janë të plagosur rëndë.

Viktimat i konfirmon dhe Ministria e Jashtme, pas kontaktit me autoritetet gjermane, ndërsa garanton se strukturat konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.

Të ngjashme