Lajme
Edmond Budina mbështet Adriana Kalan: “Ajo është një luftëtare që i çon gjërat deri në fund”
6 Maj, 2025 | 11:05 am

Regjisori dhe aktori i njohur Edmond Budina ka deklaruar publikisht mbështetjen e tij për kandidaten për deputete të Partisë Demokratike në Qarkun Tiranë, Adriana Kalaja.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Budina shpreh qartë arsyet e votës së tij për numrin 1, duke vënë theksin tek përvoja personale dhe veprat konkrete të Kalasë në mbrojtje të interesit publik.
“Unë do të votoj numrin një, Partinë Demokratike, për një arsye fare të thjeshtë. Unë këtu marr një pension prej 200 mijë lekësh të vjetra. PD-ja, kur ka qenë në pushtet, i ka dyfishuar pensionet dhe rrogat. Dhe tani ka premtuar t’i rrisë sërish, dhe unë e besoj, sepse e ka bërë dhe më parë,” – u shpreh Budina.
Artisti vlerësoi Adriana Kalanë si një figurë të palëkundur në betejat për drejtësi dhe kundër korrupsionit, duke kujtuar edhe momentet kur ajo rrezikoi jetën për çështjen e Teatrit Kombëtar.
“Ajo është një luftëtare e pathyeshme, një juriste e zonja, një specialiste kontabël, dhe mbi të gjitha – një grua që nuk ndalet. Ka bërë mbi 80 kallëzime në SPAK për afera korruptive. E kam parë me sytë e mi në Gjykatën Kushtetuese duke mbrojtur Teatrin, por edhe në përballje të rrezikshme me forca të errëta të pushtetit.”
Në një reagim publik, Adriana Kalaja ka falënderuar Edmond Budinën për këtë mbështetje të vyer, duke theksuar se fjalët e tij janë një nder dhe një përgjegjësi e madhe.
“Faleminderit nga zemra, Edmond Budina. Zëri juaj është frymëzim dhe forcë për të gjithë ne që besojmë ende te e drejta, te kultura, dhe te Shqipëria që meritojmë.”
Adriana Kalaja garon me numrin 1 në listën e Partisë Demokratike në Tiranë dhe ka spikatur gjatë viteve si një zë i fortë kundër korrupsionit dhe padrejtësive në administratë.
https://www.instagram.com/reel/DJRs0fGIYKk/?igsh=MWVzMXp2cHVtajl0ZA==


















































