Kryefjala Logo

U dhunua nga Policia? Gjekmarkaj përfundon në spital, reagojnë blutë

23 Dhjetor, 2024 | 8:25 pm

Kryetari i PD, Sali Berisha ka mbërritur në spitalin e Traumës për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të nënkryetarit Agron Gjekmarkaj, i cili mbeti i lënduar si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia.

Berisha është njohur nga afër me gjendjen shëndetësore të Agrion Gjekmarkajt, i cili ndodhet i shtruar në spital pas dhunës së policisë në protestën e opozitës, të mbajtur këtë të hënë në Tiranë.

Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj, edhe i Kuvendit njëkohësisht, ka humbur ndjenjat në protestë.

Gjekmarkaj ndodhej në zonën e pallatit me Shigjeta, bashkë me deputetë dhe zyrtarë të tjerë të PD-së, në krah të qytetarëve që protestonin, në kuadrin e mosbindjes civile. Deputeti Gjekmarkaj tha se ka humbur ndjenjat për shkak të dhunës së ushtruar nga policia.

Sipas PD-së, Gjekmarkaj është dhunuar barbarisht nga Policia, në momentin që kjo e fundit tentoi të shpërndante protestuesit që ndodheshin në rrugë.

Në anën tjetër Policia e Shtetit ka reaguar: “Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.

Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.

Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.”

Të ngjashme