Kryefjala Logo

Familja e Erion Veliaj në hetim, Ajola Xoxa thirret në SPAK

23 Dhjetor, 2024 | 5:30 pm

Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj është thirrur nga SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me hetimet që po zhvillohen mbi akuzën e korrupsionit, shkruan VNA.al.

SPAK ka kryer kontrolle në bizneset e Xoxës dhe të vëllait të Veliajt, si dhe ka sekuestruar telefonat e tyre.

Mëngjesin e 6 dhjetorit, oficerët e BKH-së trokitën në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj ku dhe bënë të mundur sekuestrimin e telefonit të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës.

Më pas ata shkuan në banesën e vëllait të Veliajt, Arbër Veliajt si dhe te selia e galerisë “Harabel” që ndodhet në zonën e ish-bllokut në Tiranë në pronësi të bashkëshortes së të parit të Tiranës.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, efektivët përveç telefonit të Xoxës gjetën dhe sekuestruan dokumenta e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet e nisura lidhur me pasurinë e Veliajt dhe familjarëve të tij.

Avokatët e tyre menjëherë pas momentit të kontrolleve pretenduan se sekuestrimi i dokumentave të cilat nuk ishin të përpiluara në kërkesën e SPAK ishte në kundërshtim me ligjin.

Avokatët e bashkëshortes dhe vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt ankimuan kontrollet e oficerëve të BKH-së duke pretenduar se janë bërë në shkelje të ligjit procedural për mungesë shkaku të ligjshëm.

Por Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar ankimimin e bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxës për kthimin e telefonit dhe dokumentave të marra nga oficerët e BKH-së më 6 dhjetor. Vendimi u mor nga gjyqtarja Atalanta Zeqiri.

Të ngjashme