Kryefjala Logo

Pastrimi i parave, GJKKO cakton ‘arrest në burg’ për dy bashkëpunëtorët e Rezart Taçit. Lilo kërkon lirimin: “Jam thjesht shofer”. Ja çfarë deklaruan avokatët

14 Nëntor, 2021 | 1:17 pm

GJKKO ka vendosur të lërë në burg dy bashkëpunëtorët e biznesmenit Rezart Taçi (i shpallur në kërkim), Artur Balla dhe Bledar Lilo.

Bëhet me dije se Gjykata e Posaçme ka caktuar ‘arrest në burg’ për Ballën dhe Lilon të arrestuar për pastrim parash.

Mësohet se Lilo ka kërkuar shpalljen e moskompetencës dhe lirimin e menjëhershëm pasi nuk ka lidhje me ngjarjen pasi sipas tij është thjesht një shofer. Po kështu shpalljen e moskompetencës dhe caktimin e një mase më të butë sigurie, si ajo e arrestit në shtëpi ka kërkuar dhe i arrestuari tjetër Artur Bala.

Ndërkaq mbrojtja ka kërkuar nga SPAK t’i vihen në dispozicion provat pasi sipas tyre nuk kemi të bëjmë me pastrim parash, duke qenë se shuma prej mbi 18 milionë lekësh ka mbërritur nëpërmjet bankave. “Nëse paratë kishin ardhur nga bota e krimit pse nuk u ndaluan në Zvicër”, ka deklaruar mbrojtja.

Hetimet për zbulimin e skemës financiare të pastrimit të parave janë kryer nga SPAK, në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Dyshohet se personat e sipërpërmendur, kanë bashkëpunuar me dy italianë, Francesco Zummo e Fabio Petruzzella, si edhe 1 zviceran në skemën e pastrimit të parave.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera”, shkruhet në njoftimin e SPAK.

Të ngjashme