Lifestyle
Zakone që duhet të ndryshoni sipas Love Yourself Albania
9 Shtator, 2025 | 4:00 pm

Në ritmin e shpejtë të jetës moderne, shpesh i nënshtrohemi zakoneve që duken të padëmshme, por që në fakt ndikojnë negativisht në shëndetin fizik, emocional dhe mendor. Love Yourself Albania, një nismë e fokusuar te kujdesi për veten dhe ndërgjegjësimi mbi mirëqenien, sjell disa zakone që ia vlen t’i ndryshoni për të reduktuar dëmet e përditshmërisë dhe për të jetuar më mirë.
1. Mos e nisni ditën me telefonin
Shumë njerëz e kanë bërë pjesë të rutinës të zgjuarit me telefon në dorë, duke nisur ditën mes mesazheve, rrjeteve sociale apo email-eve. Kjo i shton trurit menjëherë një dozë të panevojshme stresi. Përpiquni t’i jepni vetes 30 minuta qetësi: bëni një shëtitje të shkurtër, lexoni disa faqe libri ose thjesht shijoni mëngjesin. Ky ritual i vogël do t’ju ndihmojë të vendosni një ritëm pozitiv për gjithë ditën.

2. Ngjituni nga shkallët të paktën një herë në ditë
Shëndeti nuk vjen vetëm nga palestra apo aktivitetet intensive. Edhe zgjedhjet e vogla kanë rëndësi. Në vend që të përdorni ashensorin, provoni shkallët – qoftë në punë apo në banesë. Ky zakon i thjeshtë përmirëson qarkullimin e gjakut, ndihmon në djegien e kalorive dhe mban trupin aktiv. Një hap i vogël sot, një trup më i fortë nesër.

3. Vendosni SPF çdo mëngjes
Shumë njerëz mendojnë se kremi mbrojtës nga dielli nevojitet vetëm në plazh ose gjatë verës. E vërteta është se rrezatimi UV është i pranishëm gjatë gjithë vitit dhe ndikon në plakjen e parakohshme të lëkurës, shfaqjen e njollave dhe probleme të tjera dermatologjike. Përdorimi i SPF çdo ditë, edhe kur është me re, është një investim i thjeshtë dhe i fuqishëm për shëndetin dhe bukurinë e lëkurës.

4. Hiqni dorë nga duhani
Dëmet që shkakton duhani janë të njohura, por zakoni shpesh është i vështirë për t’u lënë. Nëse nuk jeni ende gati ta ndërprisni plotësisht, filloni me hapa gradualë duke zgjidhur alternativa më pak të dëmshme. Çdo hap drejt reduktimit të rrezikut është një fitore për shëndetin tuaj dhe një mënyrë për të treguar më shumë dashuri ndaj vetes.

5. Ushqehuni me produkte të freskëta
Thonë shpesh që dashuria vjen nga stomaku – dhe kjo është e vërtetë edhe për dashurinë ndaj vetes. Trupi ka nevojë për energji të pastër dhe të shëndetshme. Duke zëvendësuar ushqimet e përpunuara me fruta, perime, drithëra të plota dhe vakte të gatuara vetë, do të ndiheni më të lehtë, më energjikë dhe më të balancuar. Kujdesi për ushqimin është kujdes për veten.

Love Yourself Albania beson se ndryshimet e vogla, të bëra me dashuri dhe ndërgjegje, sjellin rezultate të mëdha. Nuk është e nevojshme të ndryshoni gjithçka njëherësh – mjafton të filloni me një zakon, ta bëni pjesë të rutinës, dhe gradualisht do të shihni se sa shumë mund të transformohet jeta juaj.
















































