Kryefjala Logo

Tre zakone të thjeshta që ju mbajnë plot energji edhe pas drekës

9 Korrik, 2026 | 3:20 pm

Të përgjumur sapo mbaroni drekën? Ekspertët thonë se kjo nuk është diçka që duhet ta pranoni si normale. Sipas nutricionistëve të Eating Well, lodhja pas ngrënies mund të shmanget me disa ndryshime të thjeshta në mënyrën e të ushqyerit dhe stilin e jetesës.

Rënia e energjisë zakonisht ndihet mes orës 13:00 dhe 15:00, kur organizmi ngadalëson natyrshëm ritmin. Megjithatë, ekspertët theksojnë se zgjedhjet ushqimore ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si ndihemi gjatë kësaj periudhe.

Një nga arsyet kryesore të përgjumjes pas vakteve është konsumimi i ushqimeve të pasura me karbohidrate të rafinuara. Këto rrisin shpejt nivelin e sheqerit në gjak, por më pas shkaktojnë edhe një rënie të menjëhershme të energjisë.

Për këtë arsye, rekomandohet që çdo vakt të përmbajë proteina, karbohidrate të pasura me fibra dhe yndyrna të shëndetshme. Ky kombinim ndihmon në mbajtjen e qëndrueshme të nivelit të glukozës në gjak dhe siguron energji për më gjatë.

Ekspertët theksojnë gjithashtu rëndësinë e mëngjesit. Zgjedhje si kosi grek me fruta dhe arra apo buka integrale me avokado mund të ndihmojnë në shmangien e rënies së energjisë gjatë ditës. Edhe konsumimi i vakteve të vogla çdo 3–4 orë mund të ndihmojë në ruajtjen e energjisë.

Një tjetër këshillë e rëndësishme është lëvizja. Edhe një shëtitje prej 10 minutash pas drekës mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut dhe të ndihmojë trupin të përdorë më mirë glukozën si burim energjie. Për ata që kalojnë shumë orë ulur, rekomandohet të ngrihen dhe të lëvizin për pak minuta çdo 60–90 minuta.

Po aq i rëndësishëm është edhe hidratimi. Edhe një dehidratim i lehtë mund të shkaktojë lodhje, mungesë përqendrimi dhe nervozizëm. Prandaj, ekspertët këshillojnë të pini ujë rregullisht gjatë ditës dhe të mos prisni derisa të ndjeni etje.

Ndërkohë, konsumimi i tepërt i kafesë, sidomos në orët e pasdites, mund të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit dhe të rrisë ndjenjën e lodhjes ditën pasuese.

Sipas specialistëve, me një ushqyerje të ekuilibruar, aktivitet fizik të lehtë dhe hidratim të mirë, lodhja pas ngrënies mund të reduktohet ndjeshëm, duke ju ndihmuar të ruani energjinë dhe përqendrimin gjatë gjithë ditës.

Të ngjashme