Lifestyle
Studimi i Universitetit të Katanias: Zëvendësimi i cigareve me produkte alternative përmirëson ndjeshëm formën fizike
29 Korrik, 2025 | 10:23 am

Një formë e mirë fizike është shumë motivuese, pasi lidhet drejtpërdrejt me stilin e jetesës dhe mirëqënien e individit.
Sipas një studimi të ri, njerëzit që kalojnë nga pirja e cigares te përdorimi i produkteve me ngrohje mund të përmirësojnë ndjeshëm formën e tyre fizike brenda vetëm katër javësh.
Studiuesit thonë se ky rezultat mund të shërbejë si një motivim i fortë, veçanërisht për duhanpirësit që zgjedhin të mos e lënë duhanin, por ta zëvendësojnë atë me alternativa më të sigurta të nikotinës.
Studimi është publikuar në revistën Scientific Reports dhe mban titullin “Përmirësim i kapacitetit aerobik në një studim të kontrolluar mbi përdorimin e produkteve të duhanit pa djegie”. Ai u realizua nga studiuesit në Qendrën e Ekselencës për Përshpejtimin e Reduktimit të Dëmit (CoEHAR), në Universitetin e Katanias në Itali. Ata analizuan një tregues të njohur si V̇O₂ max: shkalla maksimale e konsumit të oksigjenit gjatë aktivitetit fizik, e cilësuar si “standardi i artë” për matjen e formës kardiopulmonare.
Ky ishte studimi i parë që analizonte efektin e përdorimit të cigareve elektronike (EC) dhe produkteve të duhanit me ngrohje (HTP) krahasuar me pirjen e zakonshme të cigares, për sa i përket ndikimit në V̇O₂ max. Ai u bazua në një analizë dytësore të studimit CEASEFIRE të CoEHAR-it, i cili ndoqi 220 persona që nuk donin të linin duhanin dhe përdori testin Chester Step Test për të matur performancën fizike pas katër dhe dymbëdhjetë javësh.
Pirja e duhanit ul kapacitetin fizik. Por studimi tregoi se personat që e lanë duhanin ose edhe thjesht e ulën konsumin patën rritje të ndjeshme të V̇O₂ max. Studiuesit vunë re se “kjo rritje ishte e njëjtë si për përdoruesit e cigareve elektronike, ashtu edhe për ata të produkteve alternative me ngrohje.”
“Këto përmirësime në performancën fizike mund të konsiderohen si një përfitim shtesë nga kalimi në produkte pa djegie, duke rikonfirmuar potencialin e tyre si mjete efektive për reduktimin e dëmit,” thanë autorët.
Profesor Riccardo Polosa, mjek dhe themelues i CoEHAR-it, deklaroi për Filter: “Në studimin tonë, pjesëmarrësit që kaluan plotësisht te produktet e nikotinës pa djegie patën rritje domethënëse të V̇O₂ max.”
Ky tregus ishte i ngjashëm me ato të raportuara në studime të mëparshme për persona që e kanë lënë plotësisht duhanin, pa përdorur produkte alternative të nikotinës.
Sipas Dr. Polosa, pjesëmarrësit që përdorën produkte më të sigurta të nikotinës për të ulur numrin e cigareve të konsumuara patën përmirësim të V̇O₂ max prej rreth 3% pas katër javësh dhe 4.5% pas 12 javësh. Ata që kaluan plotësisht te produktet pa djegie patën përmirësime prej rreth 5.5% dhe 6% në të njëjtat periudha.
Polosa shtoi se nuk u habit nga rezultatet, pasi ato përputhen me vëzhgimet e tij të mëparshme, por e quajti të jashtëzakonshëm faktin që këto përmirësime ndodhën kaq shpejt, pas vetëm katër javësh.
“Këto përmirësime e kaluan kufirin minimal për të qenë klinikisht të rëndësishme, që do të thotë se ishin jo vetëm statistikisht të rëndësishme, por edhe me vlerë për shëndetin,” tha ai. “Kjo e përforcon idenë se eliminimi i toksinave nga djegia, veçanërisht i monoksidit të karbonit, përmirëson shpejt transportin e oksigjenit dhe efikasitetin kardiovaskular.”
Produktet e duhanit me ngrohje (HTP) janë tashmë alternativa të njohura në disa vende, përfshirë Japoninë, ku shitjet e cigareve janë përgjysmuar pas lançimit të tyre. Përfitimet nga kalimi në produkte alternative janë më pak të dokumentuara sesa ato të vape, ndaj ky studim është një kontribut i vlefshëm në këtë drejtim.
“Në studimin tonë nuk gjetëm asnjë ndryshim domethënës në përmirësimin e V̇O₂ max mes përdoruesve të vape dhe atyre të produkteve me ngrohje,” tha Polosa. “Të dy grupet treguan përmirësime të ndjeshme.”
“Për ata që pijnë duhan, të pasurit e një forme më të mirë fizike dhe performance më të lartë atletike është shumë motivuese, pasi lidhet drejtpërdrejt me qëllimet dhe stilin e tyre të jetesës,” shtoi ai.
Studiuesit besojnë se ndikimi më i madh i këtyre rezultateve do të jetë te të rinjtë duhanpirës. Sëmundje si kanceri apo sëmundjet e zemrës mund të duken si rreziqe të largëta për ta, por forma fizike dhe shëndeti janë diçka që i shqetëson të gjithë.
“Nevojiten më shumë kërkime, sidomos afatgjata, por rezultatet tona sugjerojnë se vape-t dhe produktet alternative me ngrohje mund të jenë mjete efektive për përmirësimin e shëndetit kardiovaskular, nëse kalimi nga pirja e cigares është i plotë,” përfundoi Polosa.
















































