Kryefjala Logo

Studimet alarmojnë: Vetmia, problemi i heshtur që “vret” në ditët e festave

26 Dhjetor, 2025 | 8:36 pm

Vetmia, një nga problemet gjithnjë e më të pranishme në shoqëritë moderne, ndihet edhe më fort gjatë festave familjare si Krishtlindjet në Gjermani. Ndërsa për shumëkënd këto ditë shoqërohen me ngrohtësi dhe bashkim familjar, për të tjerë ato thellojnë ndjesinë e mungesës dhe izolimit.

Studime të shumta vendase e kanë identifikuar vetminë si një fenomen të përhapur jo vetëm tek të moshuarit, por edhe mes të rinjve. Megjithatë, në periudhën e festave kjo ndjenjë bëhet më e mprehtë për ata që nuk kanë familje pranë, që kanë humbur kontaktet me të afërmit ose që kanë mbetur vetëm pas ndarjeve nga jeta të njerëzve të dashur. Në këto ditë, mungesa e ngrohtësisë familjare ndihet më shumë se kurrë.

Në këtë realitet të heshtur, dy gra nga Baden-Württemberg, Katharina Claus dhe Sandra Gründlinger, kanë ndërmarrë një iniciativë prekëse: një projekt të letrave anonime, me synimin për të arritur tek njerëzit që ndihen të vetmuar, veçanërisht të moshuarit që i kalojnë festat larg familjes.

Nëpërmjet këtij projekti, letra të thjeshta, por plot ngrohtësi, dërgohen në qendrat e kujdesit për të moshuarit. Çdokush mund të kontribuojë duke shkruar një letër, pa qenë nevoja për dhurata materiale. Mesazhet synojnë të sjellin një ndjesi lidhjeje, vëmendjeje dhe përkatësie shoqërore, një dritë e vogël kundër vetmisë.

Në projekt janë përfshirë edhe fëmijë nga rrethi i miqve dhe familjarëve të dy iniciatoreve, të cilët po mësojnë se edhe gjestet më të vogla mund të kenë një ndikim të madh dhe të lënë gjurmë të thella tek ata që ndihen të harruar.

Të ngjashme