Sport
Interi zyrtarizon pasuesin e Contes, Simone Inzaghi firmos për 2 vite!
3 Qershor, 2021 | 2:44 pm
Te Interi mbyllet përfundimisht epoka Antonio Conte dhe nis një erë e re. Simone Inzaghi është zyrtarisht trajneri i ri i skuadrës zikaltër, me 45-vjeçarin që pason kështu Conten dhe i jepet mundësia për të drejtuar kampionët e Italisë pas punës së shkëlqyer që bëri te Lazio gjatë 5 viteve që drejtoi bardhekaltrit si trajner i parë. Simone Inzaghi sëbashku me stafin e tij mbrriti paraditen e kësaj të enjteje në Appiano Gentile për të vizituar fillimisht qëndrën stërvitore të klubit, ndërsa menjëherë më pas hodhi edhe firmën mbi kontratë.
45-vjeçari firmosi me Interin për 2 sezone ndërsa paga e tij do të jetë diçka më e lartë se 4 milionë euro ndërkohë që me bonuset mund të arrijë deri në 5 milionë euro në vit. Inzaghi i cili me Lazion në këto 5 vite fitoi një Kupë Italie dhe dy Superkupa të vendit, ndërkohë që sezonin e kaluar arriti t’i kualifikonte kryqytetasit edhe në Champions League, duke kaluar edhe grupin do të ketë tashmë do të ketë misionin e vështirë për të mbajtur Interin në nivelet më të larta dhe për të vazhduar rrugën e sukseseve të nisur nga Conte.
Objektivi i parë i Simone Inzaghit do të jetë mbrojtja e titullit kampion në Serie A, një objektiv jo i lehtë edhe për faktin se zikaltrit kanë probleme financiare dhe do të jenë të detyruar të shesin një apo 2 nga lojtarët më cilësorë që kanë në skuadër të cilët do t’i zëvendësojnë me blerje low-cost ndërkohë që merkato do të jetë e kushtëzuar nga shitjet.
Simone Inzaghi e drejtoi Lazio në 251 takime në të gjitha kompeticionet duke regjistruar 134 fitore 45 barazime dhe 72 humbje. Në ringritjen e bardhekaltërve meritat janë kryesisht të tijat ndërkohë që arriti të nxirrte në pah cilësitë e lojtarëve si Immobile, Milinkovic-Savic, Correa, Luis Alberto, Thomas Strakosha e të tjerë duke rritur jashtëzakonisht edhe vlerën e tyre në merkato. Te Interi Simone Inzaghi do të kërkojë të riniset nga Romelu Lukaku të cilin e konsideron të pashitshëm dhe ende pa u zyrtarizuar si trajner i kampionëve të Italisë, ka patur një bisedë telefonike me të, duke marrë ok-in e sulmuesit belg për të vazhduar aventurën në San Siro me Interin.