Lifestyle
Shqipëria në “epokën e duhanit”: Sfidat Europiane për reduktimin e konsumit
10 Prill, 2026 | 3:23 pm

Duhanpirja vijon të mbetet një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik, me pasoja të drejtpërdrejta në sëmundshmëri dhe vdekshmëri. Në nivel global, rreth 1.2 miliardë njerëz konsumojnë produkte duhani, ndërsa rajoni europian vijon të mbajë ndër nivelet më të larta të përdorimit .
Në Shqipëri, situata paraqitet edhe më shqetësuese. I ftuar në emisionin “Trupi dhe Shëndeti”, Dr. Roland Shuperka theksoi se rreth 38.8% e popullsisë është duhanpirëse, një përqindje dukshëm mbi mesataren europiane prej 26.3%.
Kjo tregon se, pavarësisht masave të ndërmarra ndër vite, niveli i konsumit mbetet i lartë dhe pa një rënie të ndjeshme .
Një nga sfidat kryesore lidhet me vështirësinë për të lënë duhanin. Varësia nga nikotina e bën këtë proces kompleks dhe shpesh të zgjatur në kohë.
Në shumicën e rasteve, ndërprerja ndodh vetëm pas shfaqjes së problemeve serioze shëndetësore, duke nxjerrë në pah nevojën për më shumë mbështetje dhe mekanizma efektivë për lënien e duhanit.
Nga pikëpamja shkencore, dëmi kryesor që lidhet me duhanpirjen nuk vjen nga vetë nikotina, por nga procesi i djegies së duhanit. Gjatë djegies çlirohen mijëra substanca kimike, shumë prej tyre toksike dhe kancerogjene, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e sëmundjeve kronike. Për këtë arsye, në terminologjinë e shëndetit publik, djegia konsiderohet burimi kryesor i rrezikut, ndërsa produktet pa djegie synojnë të reduktojnë ekspozimin ndaj këtyre substancave .
Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë vende po aplikojnë politika të bazuara në reduktimin e dëmit. Kjo qasje synon të ulë rreziqet për ata që nuk arrijnë ta ndërpresin plotësisht duhanin, duke promovuar alternativa që shmangin djegien. Përvoja ndërkombëtare tregon se kombinimi i politikave fiskale, informimit publik dhe qasjeve alternative mund të sjellë rezultate konkrete. Suedia është një nga shembujt më të spikatur, ku niveli i duhanpirjes ka rënë në rreth 5.3%, duke e afruar vendin drejt statusit “pa duhan” .
Megjithatë, këto produkte nuk janë pa rrezik dhe përdorimi i tyre nuk rekomandohet për persona që nuk janë duhanpirës. Veçanërisht shqetësues mbetet përdorimi tek të miturit, një fenomen në rritje që kërkon vëmendje të menjëhershme. Të dhënat tregojnë se një numër i konsiderueshëm i të rinjve në moshat 13–15 vjeç përdorin produkte duhani dhe nikotine, përfshirë cigaret elektronike .
Përballë kësaj situate, edukimi shëndetësor që në moshë të hershme mbetet thelbësor, njëkohësisht me zbatimin rigoroz të legjislacionit që ndalon shitjen e produkteve të duhanit tek të miturit.
Vetëm përmes një qasjeje të integruar, që përfshin informim të saktë, edukim të vazhdueshëm dhe politika efektive, mund të arrihet një ulje reale dhe e qëndrueshme e konsumit të duhanit.

















































