Lifestyle
Shkenctarët tregojnë/Shpenzimi parave për miqtë e ngushtë mund të zgjasë jetën tuaj
9 Gusht, 2025 | 11:48 pm

Një studim i botuar në revistën Psychological Science sugjeron se shpenzimi i parave për mikun tuaj më të mirë nuk është thjesht një gjest mirësie, por edhe një investim në shëndetin dhe jetëgjatësinë tuaj.
Hulumtuesit nga Universiteti i Kalifornisë, Riverside, zbuluan se aktet e bujarisë – veçanërisht ndaj miqve të ngushtë – aktivizojnë qendrat e trurit të lidhura me ndjesinë e shpërblimit, ndërkohë që ulin aktivitetin e zonave që lidhen me stresin. Këto reagime neurobiologjike lidhen me më pak inflamacion në trup, funksion më të mirë kardiovaskular dhe një ndjenjë më të lartë kënaqësie me jetën.
Dr. Sonia Lyumbomirsky, autorja kryesore e studimit, thekson se edhe aktet e vogla – si blerja e një kafeje për mikun, dërgimi i një dhurate të vogël apo surpriza në një ditë të zakonshme – mund të krijojnë përfitime të qëndrueshme fizike dhe emocionale. “Kur dhurimi ndodh brenda një marrëdhënieje kuptimplote, efektet pozitive shumëfishohen,” shpjegon ajo.
Ky zbulim përforcon idenë se lidhjet sociale të forta janë një faktor kyç për shëndetin afatgjatë. Studime të mëparshme kanë treguar se personat me rreth të ngushtë miqësor dhe marrëdhënie të mira kanë më pak gjasa të vuajnë nga depresioni, sëmundjet e zemrës dhe madje edhe disa lloje kanceresh.
Ekspertët e shëndetit mendor sugjerojnë se përfitimet nuk vijnë vetëm nga vetë shpenzimi, por nga ndjenja e lidhjes, mirënjohjes dhe përkatësisë që krijohet. Kur japim për të tjerët, trupi çliron oksitocinë dhe dopaminë – hormonet e lumturisë – të cilat ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut dhe forcimin e sistemit imunitar.
Pra, herën tjetër që mendoni të bëni diçka të bukur për mikun tuaj, mos e shihni vetëm si një gjest miqësor. Shkenca thotë se po i bëni një dhuratë edhe vetes – një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.
















































