Showbiz
Shiste mallra të falsifikuara me logo luksoze, arrestohet ish-konkurrenti i “Për’puthen”
30 Janar, 2026 | 3:51 pm

Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme ish-konkurrentin e “Për’puthen”, i cili shiste në dyqanin e tij produkte me logo false, për të cilat nuk posedoheshin fatura blerjeje dhe nuk lëshoheshin fatura shitjeje. Në pranga ka rënë Hysen Ramaj, 29 vjeç, banues në Tiranë.

Operacioni policor u finalizua nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko Financiare, të cilët zhvilluan kontrolle dhe verifikime me qëllim evidentimin e subjekteve që ushtronin aktivitetin e tyre në informalitet dhe shmangnin detyrimet tatimore. Gjatë operacionit të koduar “Etiketa” u zbulua një dyqan në rrugën “Sulejman Delvina”, ku shiteshin produkte me logo të markave të njohura ndërkombëtare, të dyshuara si false.
Sipas njoftimit zyrtar, në subjekt u sekuestruan veshje, çanta, syze dhe ora me logo firmash luksoze, për të cilat pronari nuk dispononte fatura mbi origjinën e mallrave. Po ashtu, dyshohet se ai nuk lëshonte kuponë tatimorë për shitjen e produkteve, me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale. Mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokuroria e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Ky rast vjen në një moment kur autoritetet kanë paralajmëruar një goditje më të fortë ndaj tregut të mallrave të falsifikuara në vend.












































