Televizion
RTSH feston 66-vjetorin e themelimit, transmetuesi i vetëm publik ka hyrë në fazën e transformimit
29 Prill, 2026 | 10:36 am

Radio Televizioni Shqiptar kremton sot 66-vjetorin e fillimit të transmetimeve të tij, duke shënuar një gur kilometrik në historinë kombëtare, në shërbim të informimit të publikut, duke ruajtur kulturën dhe duke pasuruar artin. Në vitin 1960, RTSH nisi transmetimet vetëm për një territor të kufizuar dhe më pas u shtri në të gjithë vendin, duke mbuluar sot hapësirën më të madhe gjeografike nga të gjitha mediat audiovizive të vendit. RTSH ka prodhuar, në më shumë se gjashtë dekada, programe që kanë synuar të jenë gjithëpërfshirëse, duke pasur në vëmendje informimin, edukimin dhe argëtimin.
Ky 66-vjetor i lindjes dhe themelimit të transmetuesit të vetëm publik në Republikën e Shqipërisë, me në krye Drejtoreshën e Përgjithshme Eni Vasili, e cila është gruaja e parë që drejton median publike, vijon me përkushtim rrugëtimin. Me angazhimin dhe vizionin për ta bërë këtë media sa më afër publikut, më cilësore dhe me profesionalizëm, Radio Televizioni Shqiptar ka nisur zyrtarisht procesin e transformimit.
Ky vendim u mor në mbledhjen e Këshillit Drejtues pak ditë më parë, ku u miratua unanimisht ristrukturimi i institucionit në përputhje me parimet e Unionit Evropian të Transmetuesve Publikë, pas një pune studimore 9-mujore.
RTSH, në 66-vjetorin e themelimit, numëron me qindra programe tematike, dokumentarë, seriale dhe filma televizivë, koncerte, recitale, festivale muzikore kombëtare, pa lënë mënjanë gjininë e skenës së teatrit.
Sot, RTSH feston dhe nderon me krenari dhjetëra gazetarë, muzikantë, artistë, skenaristë, teknikë, kameramanë dhe punonjës të prodhimit televiziv, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin e programacionit.
RTSH synon të përparojë krah zhvillimeve teknologjike dhe sfidave që sjell zhvillimi në fushën e medias audiovizive. RTSH është televizioni i historisë së Shqipërisë, ndërsa misioni vazhdon…


















































