Kryefjala Logo

Reduktimi i dëmit në fokus: Si politikat publike dhe teknologjitë e reja mund të bashkëveprojnë

10 Shtator, 2025 | 6:07 pm

Reduktimi i dëmit nuk është kompromis, por një strategji praktike dhe realiste për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të reduktuar pasojat afatgjata të duhanpirjes.
Në dekadat e fundit, ky koncept është bërë një nga qasjet më të rëndësishme të shëndetit publik. Nga programet e vaksinimit, tek masat për sigurinë rrugore e deri tek politikat kundër alkoolit dhe duhanpirjes, logjika mbetet e njëjtë: nëse nuk mund të eliminojmë plotësisht një sjellje, le të ulim rreziqet që ajo sjell.
Sfida në Shqipëri
Në vendin tonë, duhanpirja vijon të mbetet e përhapur, sidomos mes të rinjve dhe meshkujve, duke shkaktuar probleme të shumta shëndetësore kronike. Sfida të tjera janë: qasja e lehtë e të rinjve tek produktet e duhanit, konsumimi në ambiente të mbyllura dhe tregtia e paligjshme, e cila dëmton financat publike dhe rrezikon shëndetin e konsumatorëve për shkak të mungesës së kontrollit mbi cilësinë e produkteve. Në këtë kontekst, është e domosdoshme që politikat e shëndetit publik të afrohen me zhvillimet më të fundit të shkencës dhe teknologjisë.
Pse flasim për reduktimin e dëmit?
Ekspertët theksojnë se shumica e substancave më të dëmshme të duhanit nuk lidhen me nikotinën, por me procesin e djegies, i cili prodhon mijëra kimikate toksike, si monoksidi i karbonit dhe katrani, të njohura nga duhanpirësit. Politikat klasike, taksimi, ndalimet dhe fushatat ndërgjegjësuese kanë dhënë rezultate, por nuk kanë mjaftuar për të ulur ndjeshëm numrin e duhanpirësve.
Shembuj suksesi
Shumë vende europiane dhe më tej po integrojnë qasje të reja përmes teknologjive alternative pa djegie, duke i parë ato si pjesë të një strategjie më të gjerë për reduktimin e dëmit.
Një shembull i spikatur është Suedia, e cila sipas të dhënave të organizatës Smoke Free Sweden është shpallur vendi i parë “pa tym”, duke arritur objektivin 16 vite përpara afatit të përcaktuar nga Bashkimi Evropian. Raste të tjera mund të përmendim Italinë, Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë të cilat i kanë bërë pjesë të tyre produktet alternative me risk të reduktuar.
Roli i teknologjisë
Novacionet që shmangin djegien, si teknologjitë e duhanit të ngrohur, ofrojnë një alternativë për ata që nuk janë ende gati të heqin dorë plotësisht. Duke reduktuar ndjeshëm kimikatet e rrezikshme, këto produkte përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt një jetese më të shëndetshme.
Çfarë mund të bëjnë Shqipëria dhe Kosova?
• Politika të integruara – Përfshirja e reduktimit të dëmit në strategjitë kombëtare të shëndetit publik si një qasje pragmatike.
• Dialog i hapur – Bashkëpunim mes institucioneve, organizatave shëndetësore, sipërmarrjeve dhe shoqërisë civile për të diskutuar strategjitë e reduktimit të dëmit dhe alternativat.
• Edukimi i konsumatorit – Informim i qytetarëve për dallimet mes produkteve tradicionale dhe teknologjive pa djegie, si dhe trajnime për profesionistët e shëndetit, mjekët dhe farmacistët.

Reduktimi i dëmit nuk është kompromis, por një strategji inteligjente. Duke bashkuar politikat publike me inovacionin teknologjik, Shqipëria dhe Kosova mund të ndërmarrin hapa të guximshëm për të ulur pasojat shëndetësore të duhanpirjes dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.

Të ngjashme