Lifestyle
Raporti i Cochrane: Alternativat më pak të dëmshme, një mënyrë për lënien e duhanit
9 Dhjetor, 2025 | 9:56 am

Thirrja e përbashkët e ekspertëve, të ndjekim provat shkencore dhe të vendosim reduktimin e dëmit si prioritet në politikat globale të kontrollit të duhanit.
Një studim i kryer nga Cochrane, një rrjet global i studiuesve të shëndetit, ka sjellë prova bindëse në favor të përdorimit të cigareve elektronike dhe produkteve alternative me nikotinë për të ndihmuar të rriturit të heqin dorë nga duhani tradicional.
Kërkimi “Cigaret elektronike për lënien e duhanit” analizoi të dhëna nga një numër i madh studimesh. Studimi përfshiu 104 kërkime me gjithsej 30,366 duhanpirës të rritur, ku pjesa më e madhe e të dhënave vinte nga Shtetet e Bashkuara (48 studime) dhe Mbretëria e Bashkuar (21 studime).
Studiuesit krahasuan efektivitetin e produkteve alternative me nikotinë ndaj disa metodave të tjera, përfshirë terapitë tradicionale të zëvendësimit të nikotinës (NRT) dhe cigaret elektronike pa nikotinë. Rezultatet treguan se këto pajisje janë më efektive se NRT, si p.sh. çamçakëzat me nikotinë, për t’i ndihmuar duhanpirësit të ndalojnë duhanin për të paktën gjashtë muaj.
Cigaret elektronike, njësoj si qeskat e nikotinës dhe produktet me ngrohje, konsiderohen mjete të reduktimit të dëmit nga duhani, një qasje pragmatike e shëndetit publik që synon të adresojë rreziqet shëndetësore të shkaktuara nga pirja e duhanit. Studimi i Cochrane mbështet rregullimin e produkteve alternative në mbarë botën.
Rezultatet nxjerrin në pah një përparësi të dukshme për cigaret elektronike me përmbajtje nikotine: të dhënat sugjerojnë se për çdo 100 persona që përdorin cigare elektronike me nikotinë për të lënë duhanin, 8 deri në 11 kanë gjasa të ndalojnë me sukses për të paktën gjashtë muaj.
Kjo normë suksesi është më e lartë se ajo e terapive tradicionale, ku rreth 6 nga 100 persona arrijnë të njëjtin rezultat. Kërkimi sugjeron gjithashtu se cigaret elektronike me nikotinë janë më efektive se versionet pa nikotinë, të cilat treguan një normë të përafërt prej 6 personash nga 100.
Kërkimi, i udhëhequr nga Nicola Lindson nga Departamenti i Shkencave të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Universitetin e Oksfordit, përfundoi me një nivel të lartë besueshmërie. Studimi deklaron se ka “prova me siguri të lartë se cigaret elektronike me nikotinë rrisin shkallën e lënies së duhanit krahasuar me NRT.” Studiuesit gjetën gjithashtu “prova me siguri të moderuar që ato ndoshta rrisin shkallën e lënies krahasuar me cigaret elektronike pa nikotinë”. Rezultatet e studimit të Cochrane provojnë efektivitetin e produkteve alternative me nikotinë si një mjet për lënien e duhanit, duke provuar se ato janë një alternativë më pak e dëmshme krahasuar me cigaret tradicionale.
Dr. David Nutt nga Imperial College London tha se nuk ka asnjë dyshim shkencor se alternativat më pak të dëmshme, si cigaret elektronike, janë shumë më të sigurta se pirja e duhanit dhe mund t’i ndihmojnë duhanpirësit ta lënë atë.
“Pirja e duhanit shkakton një numër të lartë vdekjesh në mbarë botën, duke vrarë rreth 8 milionë njerëz çdo vit. Sot kemi alternativa të tjera më pak të dëmshme që mund të ulin ndjeshëm rrezikun për njerëzit që nuk munden ose nuk duan të heqin dorë nga nikotina,” tha ai.
Dr. Nutt është një ndër 40 ekspertët e pavarur në fushën e mjekësisë, farmakologjisë, psikologjisë dhe shëndetit publik, të cilët së fundmi kanë publikuar një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që të ndjekë provat shkencore dhe të vendosë reduktimin e dëmit si prioritet në politikat globale të kontrollit të duhanit.
















































