Lifestyle
Pse valixhja duhet vendosur në vaskën e hotelit? Këshilla e një ekspertje udhëtimesh
19 Gusht, 2025 | 1:23 pm

Muaji gusht është periudha kur miliona turistë udhëtojnë nëpër botë. Qoftë një plazh i frekuentuar, një qytet arti apo një ishull ekzotik, e vetmja gjë e sigurt është që udhëtarët përfundojnë duke qëndruar në hotele apo shtëpi me kushte më shumë ose më pak komode. Por cila është gjëja e parë që bëhet sapo mbërrin në destinacion? Shumica hapin valixhen, për të pasur gjithçka gati dhe për të nisur pushimet në qetësi totale. Ajo që shpesh harrohet është se bagazhi, i transportuar mes aeroporteve, autobusëve dhe rrugëve të pluhurosura, nuk duhet vendosur kurrë mbi shtrat. Por ku është vendi i duhur?
Paralajmërimi i ekspertes Lydia Mansel
Ekspertja e udhëtimeve, Lydia Mansel, ka shpjeguar arsyen pse duhet shmangur vendosja e valixhes mbi krevat, divan apo karrige. Arsyeja? Këto mobilje të “butë” mund të jenë të infestuara me çimka shtrati. Nëse valixhja hapet mbi to, rrobat dhe sendet personale ekspozohen ndaj kontaminimit, dhe më vonë udhëtari mund të zgjohet i mbuluar me pickime të dhimbshme. Për ta shmangur këtë problem, Mansel sugjeron një zgjidhje të thjeshtë: vendosni valixhen në vaskën e banjës.
Pse vaska është vendi më i sigurt për bagazhet
Por pse pikërisht vaska? Sipas ekspertes, është një nga ambientet më të sigurta në dhomën e hotelit, pasi është e largët nga qilimat dhe pëlhurat ku zakonisht strehohen insektet. Edhe në hotelet më të pastra, çimkat mund të ekzistojnë, mjafton një burim ushqimi për të mbijetuar. Vaska, përkundrazi, është një mjedis “armiqësor” për to: e lëmuar, pa pëlhura dhe e lehtë për t’u dezinfektuar menjëherë pas mbërritjes. Për më tepër, lejon edhe kursim hapësire në një dhomë që shpesh është e vogël.
Megjithatë, ka një detaj për t’u pasur parasysh: stafi i pastrimit mund të mendojë se valixhja është harruar aty gabimisht dhe ta zhvendosë. Për këtë arsye, Mansel rekomandon të lini një shënim të vogël, ku kërkohet që bagazhet të qëndrojnë në atë vend.
Pra, nëse doni pushime pa surpriza të pakëndshme, kujdesuni për një detaj që shpesh nënvlerësohet: mos e vendosni kurrë valixhen mbi shtrat, por brenda vaskës së banjës.
















































