Kryefjala Logo

Pse pushimet perfekte bëhen në shtator?

8 Korrik, 2021 | 5:40 pm

Janë shumë avantazhe që nga çmimet e lira deri tek relaksi në kuptimin e plotë të fjalës dhe kur të ktheheni nuk do të keni nevojë të thoni: “Kam nevojë për pushime të tjera”.

Së pari, nëse do të zgjidhni të bëni pushime jashtë vendit, do të gjeni paketa fantastike me ulje deri në 50%. Por edhe nëse do të pushoni në plazhet e Shqipërisë, shtatori është perfekt sepse Shqipëria njihet për numrin e lartë të ditëve me diell. Ju do të përfitoni nga cmimet më të reduktuara të apartamenteve dhe hoteleve, nuk do të jetë nevoja të zgjoheni që në pikë të mëngjesit  për të gjetur shezlon pasi do të vini gishtin ku të doni.

Plazhet e qeta, pa muzikë në kupë të qiellit, pa të qara e brohoritje fëmijësh do t’ju japin mundësinë të ndjeni zhurmën e valëve  për qetësinë e mendjes.

Të mos flasin për ushqimin . E keni parasysh fluksin e restoranteve në pikun e sezonit kur kuzhinieri nuk ka kohë as t’iu hedhë kripë patateve e jo më t’ju dekorojë pjatën? Në shtator, kur fluksi bie, ju mund të shijoni pjatën tuaj të preferuar të plotësuar në gjithë elementet e saj.

Por çmimet na interesojnë më shume!

Nëse keni vendosur të pushoni në shtator, bëjini blerjet për plazh pak para se të niseni pasi veshjet, aksesorët dhe kremrat e plazhit i gjeni me super ulje.

Së fundi, specialistët e shëndetit rekomandojnë pushime në shtator për të moshuarit dhe personat me probleme kardiovaskulare dhe të presionit të gjakut.

Tunduese apo jo?

Të ngjashme