Lifestyle
Pse 14 shkurti u bë dita e dashurisë? Historia që nis me një dënim me vdekje
14 Shkurt, 2026 | 6:33 pm

14 shkurti sot njihet si dita e dashurisë, me trëndafila, dhurata dhe deklarata romantike, por origjina e saj është shumë më dramatike nga sa duket. Pas kësaj feste fshihet një histori që nis me ndalimin e martesave dhe përfundon me një dënim me vdekje.
Gjithçka lidhet me një prift romak të quajtur Shën Valentin, i cili jetoi në shekullin e tretë. Në atë kohë, perandori Klaudi II kishte marrë një vendim të pazakontë: të ndalonte martesat për ushtarët e rinj, pasi besonte se burrat beqarë luftonin më mirë. Por Valentini nuk ishte dakord me këtë ligj.
Ai filloi të martonte fshehurazi çiftet e reja, duke besuar se dashuria nuk duhej ndaluar. Ky veprim i kushtoi shumë shtrenjtë. Kur u zbulua, ai u arrestua dhe u dënua me vdekje.
Sipas legjendës, gjatë kohës në burg, Valentini ra në dashuri me vajzën e rojës së burgut. Para se të ekzekutohej më 14 shkurt, ai i shkroi një letër lamtumire, të cilën e firmosi “Nga Valentini yt”. Pikërisht kjo frazë përdoret edhe sot në kartolinat e dashurisë.
Pas vdekjes, ai u shpall shenjt dhe 14 shkurti u kthye në një ditë për të kujtuar dashurinë dhe sakrificën e tij. Me kalimin e kohës, festa u transformua nga një ngjarje fetare në një traditë romantike që festohet në mbarë botën.
Sot, Shën Valentini është një nga festat më të mëdha globale, ku miliona njerëz shprehin ndjenjat përmes dhuratave, mesazheve dhe surprizave. Por pas gjithë kësaj romantike fshihet historia e një njeriu që sfidoi ligjin për dashurinë dhe pagoi me jetën e tij.

















































