Lifestyle
Problemet kardiake tek të rinjtë, alarmi që po rritet çdo vit. Shenjat që e dallojnë nga ataku i panikut
2 Dhjetor, 2025 | 6:30 pm

Rastet e problemeve të zemrës tek të rinjtë janë shtuar ndjeshëm, duke u kthyer në një nga shqetësimet më serioze shëndetësore të kohëve të fundit. Fatkeqësisht, nuk mungojnë as episodet që kanë përfunduar tragjikisht, shpesh si pasojë e një ataku kardiak të papritur.
Sipas mjekëve specialistë, disa faktorë kryesorë po nxisin këtë rritje të rasteve tek moshat e reja: stili i jetesës, stresi i lartë, mungesa e aktivitetit fizik, kequshqyerja, nivelet e larta të yndyrnave në gjak dhe, në disa raste, predispozitat gjenetike.
Një tjetër problem i shpeshtë është ngatërrimi i simptomave të atakut kardiak me ato të atakut të panikut. Kardiologët theksojnë se, edhe pse shenjat mund të duken të ngjashme – si vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi apo marrje mendsh – dallimi mes tyre është thelbësor dhe kërkon vlerësim të menjëhershëm mjekësor.
Çfarë rekomandojnë specialistët?
Mjekët apelojnë që të rinjtë të kryejnë rregullisht ekzaminime rutinë, sidomos ata që kanë faktorë rreziku në familje. Kontrolli periodik i zemrës dhe mbajtja nën kontroll e niveleve të yndyrnave në gjak janë hapa të domosdoshëm për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve kardiake.
Në një kohë kur rastet po shtohen, mjekët nënvizojnë rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe kujdesit të vazhdueshëm: “Parandalimi mbetet arma më e fortë që kemi.”
















































