Lifestyle
Orientimi i të rinjve në një botë virtuale, plot kureshtje dhe ndikim shoqëror
22 Tetor, 2025 | 2:03 pm

Të rinjtë, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, priren të jenë kuriozë. Ata tërhiqen nga bota digjitale, trendet, muzika, serialet, destinacionet e reja, por gjithashtu edhe nga çështjet sociale që sot prekin jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë globin. Ndryshe nga gjenerata e shkuar, ky brez i ri, shpesh i quajtur Gen Z, ka lindur me teknologjinë dhe e përdor atë natyrshëm. Ata njihen si pragmatikë, të ndjeshëm ndaj çështjeve sociale, prioritizojnë shëndetin mendor dhe përqafojnë ndryshimin, diçka që shpesh duket jashtë asaj që quajmë tradicionale.
Edhe në aspektin e punës, ata janë më fleksibël dhe autonomë. Shpesh cilësohen si më pak besnikë ndaj një vendi pune për shkak të dëshirës për të lëvizur dhe provuar eksperienca të reja. Kur bëhet fjalë për konsum dhe blerje, ata drejtohen nga kërkimi për produktin e duhur dhe nga eksperiencat e mbledhura online. Por njëkohësisht zgjedhin eficentet, të sigurtat, të qëndrueshmet, ato që sjellin ndryshim dhe jo thjesht luksin apo statusin.
Një nga sfidat kryesore që hasin të rinjtë—dhe ne bashkë me ta—është mungesa e komunikimit që në hapat e parë. Pas saj shpesh pasojnë problemet e bullizmit dhe konfliktet online, që mund të kalojnë në heshtje dhe të shfaqen si trauma. Jo rrallëherë, këto përkthehen në ngjarje të rënda, me kosto të madhe shëndetësore, familjare dhe sociale.
Në botën e shpejtë, të drejtuar nga konsumi dhe teknologjia, sfidë tjetër është aksesi i të rinjve në produktet e duhanit, alkoolit dhe drogërave. Kjo është një sfidë e shoqërisë, ku secili mbart përgjegjësinë e tij. Megjithatë, studimet e fundit tregojnë një ulje globale të konsumit të alkoolit nga brezi i ri në krahasim me brezat e mëparshëm. Ky trend pasqyron ndërgjegjësimin për efektet shëndetësore, por edhe një “revoltë” ndaj normave shoqërore që dikur nxisnin socializimin.
Po ashtu, të rinjtë po i drejtohen më shumë festave dhe organizimeve që janë më pranë komunitetit, ku mund të argëtohen duke kërcyer ose dëgjuar muzikë pa përdorur alkool. Debati mbi duhanpirjen është i madh, sepse nuk mund të ndalosh një të ri që të paktën një herë të provojë një cigare. Kjo vjen nga kureshtja, ndikimi shoqëror dhe mosha. Por duhet të jemi më të ndërgjegjshëm për atë që u ofrojmë, si në dyqane, markete, bare e restorante. Ndryshimi shpesh fillon nga ndërgjegjësimi dhe gjërat e vogla. Kurrsesi askush, as
kompanitë, as prindërit, as shoqëria nuk do të shohë të rinj që përdorin këto produkte.
Çfarë mund të bëjmë? E para është të flasim, jo të ndalojmë. Pastaj, të marrim përgjegjësinë për pasojat e sjelljeve që nuk mund t’i kontrollojmë. Duhet t’u tregojmë të rinjve çfarë janë këto produkte, çfarë sjell varësia, çfarë pasoja ka djegia e duhanit dhe si ndikon tek ne. Duhet të flasim gjithashtu për ndikimin e alkoolit dhe efektet e drogës, që shpesh shihen si adrenalinë dhe kënaqësi momentale. Informimi është mjeti i parë i ndërgjegjësimit, i mbështetur nga etiketimi, shitja e përgjegjshme dhe të dhënat faktike. Këtu kompanitë luajnë rolin e tyre për të ndërgjegjësuar opinionin publik, por edhe partnerët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Në të njëjtën kohë, ato janë një hallkë shumë e rëndësishme në rregullimin e tregut për këto produkte.
Nuk duhet të kemi frikë të flasim për këto tema në shkolla, familje dhe shoqëri, por pa i trajtuar si “tabu”. Kur i themi dikujt “Mos e bëj!”, shpesh ndodh e kundërta. Prandaj, në momentin që ky brez i ri na dëgjon dhe na jep mundësinë të jemi të hapur dhe të sinqertë, le të flasim dhe të tregojmë, pa drejtuar gishtin për të gjetur fajtorë në çdo hap.

Në këtë kohë, nuk mund t’u tregojmë të rinjve se si të vishen, si të ushqehen, si të argëtohen ose çfarë të zgjedhin. Por mund t’i ndihmojmë, të japim një shembull, të komunikojmë, t’u ofrojmë mundësi dhe t’i përgatisim që të bëjnë zgjedhje më të mira nesër. Sot, ndalimi, frika, dhuna dhe përçmimi nuk janë zgjidhje, as në botën fizike, as në atë virtuale. Ajo që funksionon është informacioni, mbështetja, dëgjimi dhe ofrimi i alternativave më të mira. Më pas, le t’i lëmë ata të zgjedhin.
















































