Showbiz
Nga Adrian Gaxha te Adelina Tahiri, ku ndodhen sot këngëtarët që u shkëputën nga muzika
22 Janar, 2026 | 8:21 pm

Shumë emra të njohur të estradës shqiptare kanë zgjedhur, me kalimin e viteve, të largohen nga muzika dhe të ndjekin rrugë krejtësisht të reja profesionale. Disa prej tyre kanë gjetur sukses në biznes, të tjerë në botën e rrjeteve sociale apo artit vizual. Ja ku ndodhen sot disa prej figurave më të njohura që dikur dominonin skenën muzikore.
Adrian Gaxha
Dikur një nga emrat më të spikatur të muzikës shqiptare, i njohur për hitet që shënuan një epokë, Adrian Gaxha sot është tërësisht i shkëputur nga muzika. Sipas “Prive”, një rikthim i tij në skenë duket i pamundur. Aktualisht, ai është fokusuar në sipërmarrje, duke hapur një restorant në Maqedoninë e Veriut, biznes që duket se po i ecën mjaft mirë dhe po rezulton i suksesshëm.
Rezarta Shkurta
Rezarta Shkurta e nisi karrierën shumë herët si këngëtare dhe modele, duke qenë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike. Megjithatë, me kalimin e kohës, ajo zbuloi pasionin e saj të vërtetë: fotografinë. Aparati fotografik është kthyer në “dashurinë” e saj kryesore dhe sot Rezarta ushtron profesionin e fotografes, një fushë që duket se e ka mbërthyer plotësisht.
Zaimina Vasjari
E kush nuk e mban mend Zaimina Vasjarin si këngëtare? Pas disa projekteve muzikore që patën jehonë, ajo u shkëput gradualisht nga muzika dhe zgjodhi të eksplorojë një tjetër fushë: biznesin. Sot, Zaimina është e përqendruar në sipërmarrje dhe marka personale, duke ndërtuar një profil të ri larg skenës muzikore.
Adelina Tahiri
Një tjetër emër shumë i njohur për publikun është Adelina Tahiri. Ajo ka zgjedhur të largohet nga muzika dhe sot e shohim më shumë në rolin e influencueses në rrjete sociale. Adelina është e martuar me një milioner dhe bën një jetë luksi, të cilën e ndan shpesh me ndjekësit e saj përmes postimeve dhe videove që tërheqin vëmendje të madhe.
Historia e këtyre artistëve tregon se jeta pas muzikës mund të marrë shumë drejtime të ndryshme. Disa gjetën sukses në biznes, të tjerë në art apo rrjete sociale, duke dëshmuar se fama nuk lidhet gjithmonë vetëm me skenën.












































