Showbiz
Moment krenarie: Çmim Oscar për filmin ku luan aktorja shqiptare
16 Mars, 2026 | 6:10 pm

Filmi i shkurtër “Two People Exchanging Saliva” (“Dy njerëz që shkëmbejnë pështymë”) është vlerësuar me Çmimin Oscar në kategorinë e filmit të shkurtër gjatë ceremonisë së mbajtur në Los Angeles, në Shtetet e Bashkuara.
Mes ekipit fitues ishte edhe aktorja dhe regjisorja me origjinë nga Kosova, Luana Bajrami, e cila u ngjit në skenë për të marrë çmimin së bashku me pjesën tjetër të ekipit realizues. Gjatë prezantimit të ekipit, Bajrami u përmend si aktore me prejardhje nga Kosova, ndërsa filmi u vlerësua gjithashtu për faktin se është realizuar kryesisht nga një ekip grash.
Luana Bajrami, 25 vjeç, ka lindur në Kosovë, por në moshë të vogël u zhvendos me familjen në Francë, ku jeton dhe zhvillon karrierën e saj artistike.
Në këtë film bardhë e zi, një bashkëprodhim mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara, Bajrami interpreton rolin e Malaises, një gruaje të re. Historia zhvillohet në një version distopik të Parisit, ku intimiteti mes njerëzve është i ndaluar dhe madje edhe një puthje konsiderohet krim i dënueshëm me vdekje. Filmi trajton tema si kontrolli shoqëror, konsumizmi dhe kufizimi i marrëdhënieve njerëzore.
Fitorja e këtij çmimi ka sjellë reagime edhe nga figura politike në Kosovë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përgëzuar publikisht Bajramin dhe ekipin e filmit për këtë arritje.
“Jemi krenarë për këtë sukses të madh të Luanës, aktores së lindur në Kosovë që përfaqëson më së miri talentin dhe vendosmërinë e të rinjve tanë,” shkroi Osmani në një reagim në rrjetet sociale.
Një detaj i veçantë i kësaj kategorie ishte se filmi ndau çmimin me një tjetër produksion, “The Singers”, një vendim relativisht i rrallë në historinë e ndarjes së çmimeve Oscar.
Ndërkohë, në ceremoninë e këtij viti, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në SHBA shpërbleu disa nga produksionet më të suksesshme të vitit. Filmi “One Battle After Another” rezultoi ndër fituesit kryesorë, duke marrë gjithsej gjashtë çmime, përfshirë edhe atë për filmin më të mirë.
Kosova prej tre vitesh nuk ka pasur një film në garë për kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar në Oscars. Suksesi më i madh i kinematografisë kosovare në këtë ceremoni mbetet ai i vitit 2016, kur filmi “Shok”, me regji të Jamie Donoughue, u nominua për Oscar dhe bëri histori si produksioni i parë që përfaqësoi Kosovën në këtë skenë prestigjioze.












































