Showbiz
“Met Gala 2026”, Kim Kardashian rikthen trendin që Bleona Qereti e solli në vitin 2015
6 Maj, 2026 | 9:46 pm

Paraqitja e Kim Kardashian në Met Gala 2026 bëri menjëherë xhiron e rrjetit. E veshur sipas temës së këtij viti “moda si art”, Kim zgjodhi një outfit të frymëzuar nga vitet ’60, duke kombinuar elemente bronzi dhe lëkure në një siluetë të guximshme dhe futuriste. Por për publikun shqiptar (dhe jo vetëm), kjo pamje nuk ishte aspak e panjohur.
Që në momentet e para, shumëkush e lidhi këtë stil me një tjetër paraqitje ikonike, atë të Bleona Qereti në Grammy Awards 2015 (edicioni i 57-të). Në atë kohë, Bleona u shfaq në tapetin e kuq me një body metalik të zi, me të njëjtën frymë të fortë, struktura të theksuara dhe një estetikë që ndërthurte sensualitetin me elemente industriale.
Ngjashmëritë mes dy paraqitjeve janë të pamohueshme: materiali metalik, prerjet trupore dhe ideja e një “armature” moderne që kthehet në modë. Ndryshimi? Koha. Ajo që Kim Kardashian solli në vitin 2026 si një interpretim të ri të modës artistike, Bleona Qereti e kishte eksperimentuar që në vitin 2015.
Rrjeti nuk vonoi, komentet që e cilësojnë këtë si një “déjà vu” fashion-i janë të shumta, ndërsa fansat shqiptarë e konsiderojnë këtë si një tjetër moment ku Bleona ka qenë përpara kohës së saj.












































