Showbiz
Mateo tregon historinë me Brikenën jashtë: “Familjarët e saj më prenë rrugën”
20 Janar, 2026 | 11:28 pm

Mbrëmjen e sotme, Mateo ka rrëfyer publikisht historinë e tij me Brikenën, një njohje e së shkuarës që, sipas tij, i ka mbetur ende “peng”. Të dy dhanë versione të ndryshme për atë që ka ndodhur mes tyre, duke nxjerrë në pah keqkuptime, ndjenja të papërfunduara dhe dyshime për lojë.
Brikena sqaroi se njohja me Mateon ka ndodhur rreth katër vite më parë dhe se, me hyrjen e tij në shtëpi, ata ranë dakord ta linin të kaluarën pas dhe ta shikonin njëri-tjetrin vetëm si lojtarë. Ajo u shpreh e zhgënjyer kur Mateo, sipas saj, dha detaje për historinë e tyre në biseda me banorë të tjerë, detaje me të cilat ajo nuk ishte dakord.
Ajo theksoi se është ndier e mashtruar, pasi Mateo fillimisht e mohoi dhe më pas e pranoi në Prime atë që kishte thënë. Brikena u shpreh se ka pritur prej tij një sqarim apo një bisedë të drejtpërdrejtë, gjë që nuk ndodhi. Sipas saj, vendimet në lojë nuk kanë qenë hakmarrje dhe ajo vijon ta respektojë Mateon si person, duke e cilësuar si djalë të mirë.
Brikena shtoi se mes tyre nuk ka pasur një lidhje reale: kanë shkëmbyer disa mesazhe, janë parë një herë dhe nuk kanë pasur përputhje apo interes të ndërsjellë. Ajo mohoi kategorikisht që të ketë pasur puthje dhe u shpreh se Mateo po e përdor këtë histori për lojë, duke qenë më i investuar emocionalisht se ajo.
Nga ana tjetër, Mateo dha një version krejt ndryshe. Ai tha se nuk e ka pritur reagimin e Brikenës në këtë formë dhe se ka dashur t’i lërë asaj hapësirën të tregojë historinë. Sipas tij, mes tyre ka pasur pëlqim të ndërsjellë dhe një takim në Prishtinë, ku janë shkëmbyer edhe puthje.
Mateo rrëfeu se pas takimit gjërat morën një kthesë të papritur, kur familjarë të Brikenës ndërhynë drejtpërdrejt. Ai tregoi se është përballur me situata të sikletshme, përfshirë telefonata dhe paralajmërime nga familja e saj, gjë që e vuri përballë një përgjegjësie që nuk mund ta mbante.
Sipas Mateos, presioni dhe ndërhyrjet e vazhdueshme bënë që ata të mos e vazhdonin më tej njohjen, duke vendosur përfundimisht të ndërpresin kontaktet. Ai theksoi se historia u mbyll pa nisur ende mirë dhe se gjithçka mbeti pezull, duke sjellë keqkuptimet e sotme.












































