Showbiz
Kastro Zizo rrëfen anën e errët të vetes: Kam qenë dhunues dhe përndjekës
9 Janar, 2026 | 2:03 pm

Kastro Zizo ka bërë një rrëfim të fortë dhe thellësisht autokritik për një periudhë të errët të jetës së tij personale, duke pranuar publikisht se ka qenë vetë pjesë e një sjelljeje toksike brenda një marrëdhënieje.
Artisti zbuloi një anë tjetër të vetes, larg imazhit publik, duke folur hapur për sjelljen e tij problematike dhe dhunën verbale që ushtronte.
“Vitin e parë kam qenë një burrë tipik nga ata që shfaqen në emisionet sociale ku gratë flasin për partnerë dhunues. Isha larg dhunës fizike, por shumë pranë dhunës verbale. Kam qenë dhunues dhe përndjekës në atë kohë,” – u shpreh Zizo, duke ndarë detaje që, sipas tij, nuk i kishte rrëfyer më parë.
Ai pranoi gjithashtu se, edhe pse marrëdhënia kishte përfunduar, vazhdonte të kërkonte llogari dhe kontroll, në një gjendje që sot e përshkruan si të errët dhe të padenjë për veten e tij. Madje, sipas rrëfimit, në atë periudhë ai kishte paralelisht disa lidhje të tjera.
“Kërkoja llogari në llumin që isha. Kjo gjendje zgjati një vit dhe sot, kur e kujtoj veten e asaj kohe, e përçmoj,” – shtoi ai, duke theksuar distancimin e plotë nga ajo sjellje.
Rrëfimi i Kastros është parë nga publiku si një pranim i rrallë i gabimeve personale nga një figurë publike, duke hapur diskutime mbi dhunën verbale, përgjegjësinë emocionale dhe domosdoshmërinë e reflektimit dhe ndryshimit. Kujtojmë se Kastro Zizo është baba i tre fëmijëve, nga raporte të ndryshme martesore.












































