Kryefjala Logo

Ish-partnerja e Bad Bunny kërkon 40 milionë dollarë, çon në gjykatë këngëtarin

12 Korrik, 2026 | 7:43 pm

Bad Bunny është përfshirë në një përballje ligjore me ish-partneren e tij, Carliz de la Cruz Hernández, e cila kërkon 40 milionë dollarë dëmshpërblim nga artisti portorikan dhe kompania e tij diskografike.

Në qendër të padisë ndodhet fraza e njohur “Bad Bunny, baby”, e dëgjuar në disa prej këngëve të artistit. Carliz pretendon se ajo e regjistroi këtë audio në vitin 2015, kur ishte ende në një lidhje me Benito Martínez, emri i vërtetë i këngëtarit.

Sipas saj, zëri i saj është përdorur pa miratimin e saj në këngën “Pa’ Ti”, të publikuar në vitin 2017, si dhe në “Dos Mil 16”, pjesë e albumit të suksesshëm “Un Verano Sin Ti” të vitit 2022. Ajo pretendon gjithashtu se regjistrimi është shfrytëzuar në koncerte dhe materiale promocionale.

Carliz, e cila sot ushtron profesionin e avokates, thotë se nuk ka dhënë asnjëherë pëlqimin për përdorimin komercial të zërit të saj. Madje, sipas saj, përpara publikimit të albumit “Un Verano Sin Ti”, kishte refuzuar një ofertë për të shitur të drejtat mbi regjistrimin.

Së fundmi, Gjykata Supreme e Porto Rikos vendosi që një pjesë e padisë të vazhdojë në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ky vendim nuk nënkupton se Bad Bunny është shpallur fajtor, por vetëm se disa nga pretendimet e ngritura kanë bazë të mjaftueshme për t’u shqyrtuar në proces gjyqësor.

Pretendimet që lidhen me këngën “Pa’ Ti” janë rrëzuar për shkak të skadimit të afatit ligjor për paraqitjen e tyre. Megjithatë, çështjet që kanë të bëjnë me përdorimin e zërit në “Dos Mil 16” dhe në materiale të tjera promocionale mbeten ende në shqyrtim.

Tashmë, Gjykata e Shkallës së Parë në Porto Riko do të analizojë provat dhe argumentet e paraqitura nga të dyja palët për të përcaktuar nëse artisti dhe kompania e tij kanë përdorur në mënyrë të paligjshme regjistrimin zanor.

Ndërkohë, kjo nuk është e vetmja çështje ligjore që rëndon mbi Bad Bunny-n. Një tjetër grua, Tainaly Serrano Rivera, ka ngritur gjithashtu padi ndaj artistit, duke pretenduar se zëri i saj është përdorur pa autorizim në këngët “Solo de Mí” dhe “EoO”. Edhe kjo çështje vijon të jetë në fazat e para të procesit gjyqësor.

Të ngjashme