Kryefjala Logo

I pari shqiptar që ngjitet në skenën legjendare në Londër, Alban Skënderaj shkruan historinë

5 Shkurt, 2026 | 10:13 am

Alban Skënderaj vazhdon rrugëtimin e suksesshëm të turneut “Motiv i Jetës Time”. Pas mbrëmjeve spektakolare që lanë gjurmë në Tiranë, Milano dhe Prishtinë, tani është radha e Londrës një qytet ku muzika live matet me standarde të larta dhe ku publiku di të jetë njëkohësisht i përkëdhelur dhe kërkues.

Fakti që u shpall “sold out” brenda vetëm një jave është, në pamje të parë, një lajm i bukur për Alban Skënderajn, i cili prej vitesh e ka çuar standardin e koncerteve në një nivel tjetër. Por Londra nuk është një qytet ku një sallë mbushet thjesht nga entuziazmi për një artist është një metropol ku audienca është mësuar me më të mirët dhe ku çdo sukses duhet të fitohet.

img 0703

Eventim Apollo është prej atyre skenave ku muret kanë memorizuar historinë zërat e turmave, ritmin e duartrokitjeve dhe atë jehonë të bukur që mbetet në ajër edhe pasi dritat fiken. Aty kanë kënduar The Beatles, Queen, The Rolling Stones, David Bowie, Prince, Madonna, Nirvana, Adele, George Michael, Elton John, Coldplay, Harry Styles dhe shumë të tjerë që kanë shënuar epoka të tëra muzikore. Pikërisht në këtë venue historik, ku kanë performuar artistët më të mëdhenj në botë, për herë të parë do të mbahet një koncert shqiptar një moment simbolik që i jep një peshë të veçantë këtij rrugëtimi.

Tani mbetet vetëm emocioni i natës londineze, kur një refren në shqip do të ngrihet mbi qytet dhe do të dëshmojë se muzika nuk njeh kufij.

Të ngjashme