Lifestyle
Gripi mund të shkaktojë infarkt? Shkencëtarët ngrejnë alarmin
12 Shkurt, 2026 | 7:24 pm

Gripi nuk është thjesht një infeksion i rrugëve të frymëmarrjes. Në raste të caktuara, ai mund të prekë edhe zemrën dhe të shkaktojë pasoja serioze. Një studim i publikuar në revistën shkencore “Immunity” ka hedhur dritë mbi mënyrën se si virusi i gripit mund të përhapet nga mushkëritë drejt indit kardiak, duke nxitur një inflamacion të rrezikshëm.
Shkencëtarët në Spitalin Mount Sinai në Nju Jork analizuan zemrat e 35 pacientëve që humbën jetën si pasojë e gripit. Rezultatet treguan se në shumicën e rasteve, komplikacionet kardiovaskulare ishin shkaku kryesor i vdekjes. Mbi 85% e pacientëve kishin një sëmundje të mëparshme të zemrës, ndërsa shumë prej tyre vuanin edhe nga patologji të tjera shoqëruese.
Sipas analizave laboratorike, një nëngrup i panjohur më parë i qelizave të bardha të gjakut, të quajtura qeliza prodendritike (PDC), infektohen fillimisht në mushkëri dhe më pas lëvizin drejt zemrës. Ato e transportojnë virusin te kardiomiocitet, qelizat muskulore të miokardit, duke shkaktuar një reagim të fortë imunitar. Si pasojë çlirohen në sasi të mëdha interferonët e tipit 1, molekula me veprim antiviral.
Megjithatë, në vend që ta eliminojë plotësisht virusin, kjo përgjigje e tepruar imunitare dëmton vetë qelizat e zemrës. Humbja e kardiomiociteve ul aftësinë e zemrës për të pompuar gjak, duke rritur ndjeshëm rrezikun për komplikacione të rënda, përfshirë edhe infarktin.
Studiuesit theksojnë se deri në një të tretën e infarkteve ndodhin pas një infeksioni akut respirator. Gjetjet e reja mund të hapin rrugën për strategji më të avancuara mbrojtjeje dhe trajtimi gjatë sezonit të gripit, sidomos për personat me probleme ekzistuese të zemrës.

















































