Kryefjala Logo

Festivali i Pranverës hap dyert për të gjithë krijuesit, hiqet kriteri i moshës

9 Prill, 2026 | 2:03 pm

Festivali i Pranverës, një rikthim dhe një rifreskim i gjithë skenës artistike shqiptare, krijimtarisë dhe muzikës do të jetë i hapur për të gjithë këngëtarët, jo vetëm për të rinjtë.

Kjo gjë u bë e ditur nga Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar znj.Eni Vasili në një takim me drejtorët artistikë të Festivalit të Pranverës Shpëtim Saraçi dhe Alfred Kaçinari si dhe me stafin drejtues të RTSH-së ku u vendos të hiqet kriteri i përcaktuar më parë për moshën.

Ky vendim iu krijon mundësinë dhe hapësirat të gjithë këngëtarëve që duan të provojnë dhe promovojnë veten në një skenë aq sa madhështore po aq dhe e munguar dhe e dashur, atë të Festivalit të Pranverës.
Po kështu, është shtyrë dhe data për pranimin e krijimeve. Dorëzimi i këngëve ka nisur ditën e djeshme, 7 prill dhe do të vijojë deri më 18 prill.

Pra, të gjithë artistët mund të dorëzojnë këngët e tyre origjinale, në shqip dhe të papublikuara në adresën zyrtare [email protected].
Gjithashtu krijimet nuk duhet të jenë me Inteligjencë Artificiale.

Festivali i Pranverës, tashmë jo vetëm i të rinjve, por për të gjithë artistët do të mbahet më 6 dhe 7 qershor në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me një album notash dhe një skenë unike, Festivali i Pranverës do të vijë së shpejti nën kujdesin e Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së Eni Vasili për t’i dhuruar të gjithë qytetarëve dhe artdashësve një tjetër stinë të artë të muzikës me këngë që do të mbeten gjatë në memorien e kulturore të vendit, si prodhime që i japin një tjetër dimension muzikës shqiptare.

Të ngjashme