Showbiz
Eni Vasili firmos marrëveshjen historike mes RTSH dhe RAI në Radio Televizioni Italian. Një hap i madh për modernizimin e medias publike shqiptare
6 Shkurt, 2026 | 1:25 pm

Një zhvillim i rëndësishëm për median publike shqiptare u shënua sot në Romë, ku në ambientet e transmetuesit italian u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Radio Televizioni Shqiptar dhe RAI, nën drejtimin e drejtoreshës së RTSH-së, Eni Vasili.
Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e medias publike, duke hapur rrugën për projekte konkrete në dobi të publikut shqiptar.
Sipas njoftimit zyrtar, ky partneritet krijon mundësi për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit profesional për stafin e RTSH-së, si dhe ndarjen e praktikave më të mira në fushën e gazetarisë dhe prodhimit televiziv.
Një nga pikat më të rëndësishme të bashkëpunimit lidhet me procesin e dixhitalizimit të arkivës së RTSH-së, një pasuri e vyer e trashëgimisë audiovizive shqiptare, me synim ruajtjen, modernizimin dhe aksesin më të gjerë për publikun dhe brezat e ardhshëm.
Burime pranë institucionit bëjnë me dije se marrëveshja synon rritjen e standardeve profesionale, përmirësimin e cilësisë së përmbajtjes dhe afrimin e medias publike shqiptare me modelet më të avancuara evropiane.
Ky partneritet afatgjatë shihet si një angazhim serioz për modernizimin e RTSH-së dhe forcimin e rolit të saj në shërbim të publikut shqiptar, duke e pozicionuar më denjësisht në hartën e mediave publike europiane.













































