Kryefjala Logo

Emma Dakoli, vogëlushja me rrënjë shqiptare që fitoi “Zecchino d’Oro 2025”: Historia që mediat nuk e treguan

7 Dhjetor, 2025 | 4:07 pm

Emma Dakoli, vetëm 9 vjeçe, u shpall fituese e edicionit të 68-të të festivalit prestigjioz italian “Zecchino d’Oro”, që u zhvillua mbrëmjen e së dielës në Bolonja. Por ndërsa mediat italiane e prezantuan thjesht si “vajzën nga Monza”, pak u fol për origjinën e saj shqiptare.

Në fakt, Emma është vajza e Florian dhe Mimoza Dakolit, një familje nga Durrësi që prej vitesh jeton dhe punon në Monza. I ati, Florian Dakoli, në një prononcim për BIRN, rrëfeu se askush nga mediat italiane nuk i kishte pyetur për prejardhjen:
“Nuk na pyeti njeri se nga jemi ne,” tha ai, duke sqaruar se për ta kjo nuk ishte problem, por thjesht mungesë informacioni.

Një familje e thjeshtë, me shumë dashuri për artin

Floriani punon në një kompani logjistike, ndërsa bashkëshortja e tij në administratën e universitetit të Monzës. Vajzat e tyre, Emma dhe Mia, janë rritur mes muzikës, pikturës dhe aktivitetit sportiv.
“Emës i pëlqen shumë të këndojë e të pikturojë… përpiqemi që të mësojë dhe pastaj të tjerat,” tregon me humor i ati.

Emma ka studiuar piano dhe ka qenë pjesë e korit “MiMiSol”, prej nga edhe erdhi thirrja për të marrë pjesë në festivalin e famshëm për fëmijë. Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm edhe për gjyshin 90-vjeçar Besnikun, i cili e ndoqi garën me emocion.

“Zecchino d’Oro”, një traditë që lidhet edhe me shqiptarët

Festivali i themeluar në vitin 1959 është një nga evenimentet muzikore më të rëndësishme për fëmijët në Europë. Shqipëria ka pasur raste të suksesshme pjesëmarrjeje që nga viti 1992, kur vogëlushi Alfons Baba interpretoi këngën “Gjinkalla”.

Edhe këtë herë, Emma Dakoli u bë krenari e shumë familjeve shqiptare emigrante në Itali, të cilët e kanë pritur me entuziazëm fitoren e saj.

Pse u la në hije origjina e saj shqiptare?

Disa bashkëatdhetarë të familjes Dakoli shprehën habinë që emri i vajzës u paraqit vetëm si italian, pa përmendur prindërit shqiptarë.
“Ka media që ende theksojnë etninë vetëm kur bëhet fjalë për ngjarje negative,” u shpreh Ken Mehmeti, i cili prej vitesh punon në mediat italiane.

Edhe të tjerë ndanë përvoja të ngjashme, duke thënë se shqiptarët e integruar shpesh nuk dallohen nga vendasit dhe kjo çon në “fshirjen” e prejardhjes së tyre, ndonjëherë nga mediat, ndonjëherë edhe nga vetë komuniteti.

Një sukses që bashkon dy kultura

Megjithë mungesën e theksimit të origjinës, historia e Emës ka emocionuar shumë shqiptarë në Itali dhe Shqipëri. Mediat shqiptare reaguan me vonesë, por disa prej tyre i dhanë vend historisë së vogëlushes italo-shqiptare që shpalli fitore në një nga festivalet më të vjetra të muzikës për fëmijë.

Të ngjashme