Showbiz
Eminem bëhet gjysh, vjen në jetë mbesa e dytë
18 Prill, 2026 | 10:42 am

Vajza e madhe e reperit Eminem, Alaina Scott, ka ndarë një lajm të bukur me ndjekësit e saj, duke zbuluar se është bërë nënë për herë të parë së bashku me bashkëshortin Matt Moeller.
32-vjeçarja ka sjellë në jetë një vajzë më 14 prill 2026, të cilën e kanë pagëzuar me emrin Scottie Marie. Lajmin e ëmbël ajo e bëri publik dy ditë më vonë përmes rrjeteve sociale, ku publikoi edhe disa nga fotot e para të vogëlushes.
Në mesazhin që shoqëronte postimin, Alaina u shpreh plot emocion, duke e përshkruar vajzën e saj si “gjithçka dhe më shumë”, ndërsa shtoi se ndjen sikur zemra e saj tashmë është jashtë trupit.
Ajo tregoi gjithashtu se emri Scottie ka një domethënie shumë personale për të. Sipas saj, është një homazh për “motrat Scott”, gra që kanë pasur ndikim të madh në jetën e saj, ndërsa tani shpreson që edhe vajza e saj t’i japë këtij emri kuptimin e vet dhe të rritet duke e ditur sa shumë është e dashur nga familja.
Alaina nuk harroi të falënderojë edhe partnerin e saj, duke i dedikuar disa fjalë të ndjera dhe duke theksuar se nuk e beson ende që vajza e tyre është reale, ndërsa e quajti atë “dhurata më e madhe e jetës”.

Çifti kishte bërë publik lajmin e pritjes së ëmbël në tetor të vitit 2025, përmes një postimi ku shfaqej një veshje e vogël për bebe me mbishkrimin “Baby Moeller”.
Alaina është adoptuar nga Eminem në fillim të viteve 2000 dhe është rritur si pjesë e familjes së tij. Reperi ka tre vajza dhe me ardhjen në jetë të Scottie Marie, ai bëhet gjysh për herë të dytë, pasi vajza e tij tjetër, Hailie Jade Scott, ka tashmë një djalë.












































