Kryefjala Logo

Dua Lipa përfundon dyerve të gjykatës

11 Maj, 2026 | 10:47 am

Dua Lipa padit Samsung për 15 milionë dollarë, duke pretenduar se kompania ka përdorur imazhin e saj në paketimet e televizorëve pa leje.

Sipas padisë së depozituar në Gjykatën Federale të Kalifornisë, Samsung ka përdorur një fotografi të këngëtares në disa modele televizorësh të shitura në të gjithë SHBA-në, pa marrë miratimin e saj.

Në dokumentet gjyqësore thuhet se kompania ka përdorur fytyrën e Dua Lipës për të përfituar nga fama dhe suksesi i saj, me qëllim promovimin dhe shitjen e produkteve Samsung.

Padia përfshin akuza për shkelje të të drejtave të autorit, shkelje të markës tregtare dhe përdorim të paautorizuar të imazhit të artistes.

Sipas ekipit ligjor të Dua Lipës, fotografia është realizuar gjatë performancës së saj në festivalin “Austin City Limits” në vitin 2024 dhe të drejtat e fotos i përkasin vetë këngëtares.

Artistja mësoi për përdorimin e imazhit të saj në kutitë e televizorëve në qershor të vitit 2025, ndërsa fansat në rrjetet sociale nisën ta quanin produktin “Dua Lipa TV Box”.

Në padi janë përfshirë edhe komente nga rrjetet sociale, ku një përdorues shkruante se “do ta blinte atë televizor vetëm sepse ishte Dua Lipa në kuti”, ndërsa një tjetër komentonte: “Nëse do të shesësh diçka, mjafton të vendosësh një foto të Dua Lipës.”

Avokatët e artistes pretendojnë se Samsung ka injoruar vazhdimisht kërkesat për të ndaluar përdorimin e paautorizuar të imazhit të saj.

Dua Lipa ka bashkëpunime të shumta me marka të njohura ndërkombëtare si Puma, Versace, Yves Saint Laurent, Apple, Porsche, Chanel dhe së fundmi është bërë ambasadore globale e Nespresso.

Të ngjashme