Kryefjala Logo

Can Yaman reagon ashpër: “Mos kopjoni lajme nga Bosfori, nëse do të ishte e vërtetë nuk do të isha liruar”

12 Janar, 2026 | 9:52 pm

Aktori i njohur turk me origjinë shqiptare, Can Yaman, ka reaguar publikisht pas disa lajmeve që qarkulluan fillimisht në mediat turke dhe më pas u shpërndanë edhe nga disa portale italiane, ku aludohej për përfshirjen e tij në një ngjarje të dyshimtë.

Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë, Yaman i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta dhe të pabazuara, duke theksuar se shtypi turk ka qenë prej kohësh keqdashës ndaj tij, por ka shprehur zhgënjim që edhe media italiane kanë rënë pre e informacionit të pakonfirmuar.

“Ju lutem, mos bëni copy-paste lajme që vijnë nga Bosfori”, shprehet aktori, duke shtuar se është absurde të mendohet se ai do të përfshihej në veprime të paligjshme në një periudhë kur autoritetet turke po kryejnë hetime të gjera ndaj personave të famshëm.

Can Yaman thekson se fakti që është liruar brenda një kohe shumë të shkurtër dhe është rikthyer në Itali që të nesërmen, tregon qartë se akuzat nuk kanë pasur asnjë bazë reale. Sipas tij, nëse do të kishte ekzistuar qoftë edhe një element i vogël i vërtetë, një gjë e tillë nuk do të kishte qenë e mundur.

Reagimi i aktorit ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, veçanërisht në Itali, ku ai gëzon një popullaritet të jashtëzakonshëm falë roleve të tij televizive dhe angazhimeve artistike.

8ca3ca9d a458 4845 b51c 56241ce946c5

Të ngjashme