Kryefjala Logo

Britania u thotë “STOP” pijeve energjike për fëmijët nën 16 vjeç, dëmtojnë rëndë shëndetin

18 Korrik, 2026 | 11:42 am

Qeveria britanike ka vendosur të ndalojë shitjen e pijeve energjike me përmbajtje të lartë kafeine për fëmijët nën moshën 16 vjeç në Angli, si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së të miturve.

Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi në prill të vitit 2027 dhe parashikojnë ndalimin e shitjes për personat nën 16 vjeç të pijeve që përmbajnë më shumë se 150 miligramë kafeinë për litër.

Masa do të zbatohet në të gjitha pikat e shitjes, duke përfshirë supermarketet, dyqanet e vogla, restorantet, kafenetë, platformat e shitjeve online dhe makinat automatike.

Në kategorinë e produkteve që preken nga ndalimi përfshihen disa prej markave më të njohura të pijeve energjike, si Red Bull, Monster, Relentless dhe Prime Energy. Ndërkohë, çaji, kafeja dhe pijet freskuese me nivele më të ulëta të kafeinës, si Coca-Cola dhe Pepsi, nuk do të përfshihen në këtë masë.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore britanike, rreth një në tre fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar konsumon të paktën një pije energjike në javë. Disa prej këtyre produkteve mund të përmbajnë sasi kafeine të krahasueshme me dy filxhanë kafe ose katër kanaçe pije kola.

Ministrja britanike e Shëndetit Publik, Sharon Hodgson, deklaroi se pijet me përmbajtje të lartë kafeine nuk duhet të konsumohen nga fëmijët, duke theksuar ndikimin që ato mund të kenë te ankthi, gjumi dhe përqendrimi.

“Ato mund të shkaktojnë ankth, të dëmtojnë gjumin dhe përqendrimin, si edhe të ndikojnë negativisht në rezultatet e tyre në shkollë. Ky ndalim është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve”, u shpreh ajo.

Vendimi është marrë pas një konsultimi publik ku morën pjesë biznese, organizata të shëndetit publik dhe qytetarë, ndërsa shumica e pjesëmarrësve mbështetën vendosjen e një kufiri moshe.

Edhe pse shumë prej supermarketeve të mëdha britanike kishin vendosur prej kohësh kufizime vullnetare për shitjen e pijeve energjike te të miturit, autoritetet konstatuan se ato vazhdonin të ishin lehtësisht të aksesueshme në pika të tjera shitjeje.

Zbatimi i rregullave të reja do të mbikëqyret nga inspektorët e standardeve tregtare. Masa është pjesë e një pakete më të gjerë reformash që synojnë përmirësimin e ushqyerjes së fëmijëve dhe kufizimin e promovimit të produkteve të konsideruara të pashëndetshme.

Çfarë mund të ndodhë pas konsumimit të një pijeje energjike?

Efektet varen nga sasia e kafeinës dhe sheqerit, por edhe nga organizmi i personit. Kafeina mund të fillojë të veprojë brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke rritur vigjilencën dhe, te disa persona, ritmin e zemrës ose presionin e gjakut. Me kalimin e orëve, efekti stimulues zbehet, ndërsa konsumatorët e rregullt të kafeinës mund të përjetojnë dhimbje koke ose lodhje kur efekti i saj largohet.

Të ngjashme