Lajme
U rekrutua si punonjëse, vodhi 5 mijë euro që ditën e parë të punës! Gruaja që u kthye në makthin e bizneseve në Tiranë
16 Korrik, 2026 | 6:06 pm

Kumrie Zika, e dyshuar si autore e disa vjedhjeve me të njëjtën skemë, është kthyer në shqetësim për biznese të ndryshme në Tiranë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Top Channel, rasti më i fundit ka ndodhur në një pikë transfertash parash dhe këmbimi valutor në zonën e njohur si “Vorri i Bomit”.
Ndryshe nga vjedhjet e zakonshme, Zika dyshohet se është paraqitur si kandidate për punë. Biznesi, për shkak të nevojës për staf, e ka pranuar dhe i ka dhënë mundësinë të nisë punën.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, gjatë ditës së parë ajo ka qëndruar pranë një punonjësi tjetër. Megjithatë, në një moment kur ai është larguar vetëm për pak sekonda, dyshohet se ka marrë rreth 5 mijë euro nga arka dhe është larguar me shpejtësi nga ambientet e biznesit.
Menjëherë pas denoncimit, policia ka sekuestruar pamjet filmike dhe ka identifikuar të dyshuarën. Pak orë më vonë, Kumrie Zika është arrestuar në zonën e “21 Dhjetorit” dhe pritet të dalë para gjykatës për akuzën e vjedhjes.
Burime bëjnë me dije se kjo nuk është hera e parë që ajo dyshohet se përdor të njëjtën skemë. Sipas tyre, në disa raste të tjera është punësuar për pak kohë në biznese të ndryshme dhe më pas ka vjedhur shuma parash, megjithëse më të vogla.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendje është fakti se emri i saj gjendet edhe në disa dalje televizive, ku ka qenë e ftuar për të dhënë opinione mbi çështje të ndryshme.


















































