Showbiz
Bleona Qereti arrin një tjetër sukses, bëhet anëtare votuese e Grammy Awards
13 Korrik, 2026 | 2:56 pm

Bleona Qereti ka arritur një tjetër sukses në karrierën e saj ndërkombëtare. Këngëtarja shqiptare është bërë zyrtarisht anëtare votuese e Recording Academy, institucioni që organizon dhe administron çmimet prestigjioze Grammy Awards.
Lajmin e ka ndarë vetë artistja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë si një nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të saj profesional. Me statusin e ri, Bleona fiton të drejtën të marrë pjesë në procesin e votimit për përzgjedhjen e kandidatëve dhe fituesve të çmimeve Grammy.
Artistja e konsideron këtë një arritje me vlerë të veçantë, duke theksuar se karrierën e saj e ka ndërtuar si artiste e pavarur, pa mbështetjen e shtëpive të mëdha diskografike.
Bleona rikujtoi se gjithçka nisi nga Shqipëria, në një kohë kur ndërtimi i një karriere në tregun ndërkombëtar dukej një objektiv i vështirë për t’u arritur. Sipas saj, çdo sukses është rezultat i punës së vazhdueshme, këmbënguljes, mbështetjes së familjes dhe besimit të fansave.
“Ky nuk është vetëm një moment historik për mua, por edhe për çdo artist të pavarur që vazhdon të besojë te ëndrrat e tij, pavarësisht pengesave”, u shpreh këngëtarja.
Në fund të reagimit të saj, Bleona falënderoi Recording Academy për besimin dhe vlerësimin, duke shtuar se ndihet e nderuar që tashmë është pjesë e komunitetit që kontribuon në vlerësimin e artistëve dhe projekteve më të rëndësishme të industrisë muzikore.












































