Lajme
“Ka kaluar në depresion”, dëshmitë rrëqethëse për 17-vjeçaren në Fier, reagon Policia: Tre vajzat u proceduan, njëra u arrestua pasi dhunoi nënën e saj
7 Korrik, 2026 | 1:42 pm

Videoja e dhunës së ushtruar ndaj një 17-vjeçareje në Fier ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, pasi pamjet u bënë virale në rrjetet sociale, edhe pse ngjarja kishte ndodhur rreth një muaj më parë.
Pas sensibilizimit të madh të publikut, Drejtoria Vendore e Policisë Fier doli me një reagim zyrtar, duke sqaruar se rasti ishte denoncuar menjëherë pas ngjarjes dhe se veprimet procedurale ishin kryer në bashkëpunim me Prokurorinë.
Sipas Policisë, më 8 qershor 2026, 17-vjeçarja u paraqit në Komisariatin e Policisë Fier së bashku me nënën e saj, ku kallëzoi se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje nga kjo e fundit dhe dy vajza të tjera 15-vjeçare.
Menjëherë pas kallëzimit, tre vajzat u shoqëruan në komisariat dhe, sipas Policisë, pranuan se kishin ushtruar dhunë ndaj bashkëmoshatares për motive të dobëta. Më 9 qershor, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Policia bëri me dije gjithashtu se më 28 qershor është arrestuar njëra prej 15-vjeçareve të përfshira në ngjarje, por për një çështje tjetër, pasi u kallëzua nga nëna e saj për dhunë ndaj kësaj të fundit. Më pas, ajo u dërgua për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.
Ndërkohë, gjyshi i 17-vjeçares ka rrëfyer për Top Channel se nuk kishte dijeni për atë që kishte ndodhur dhe se ngjarjen e mësoi vetëm pasi pamjet u transmetuan në televizion.
“Unë dje e kam marrë vesh. Nuk më thotë gjë njeri. Vajza e ka lënë shkollën, e çojnë në kurs për parukerie. Nuk di kur ka ndodhur ngjarja. Kush tregon?! Jam tronditur. E mora vesh nga TV. Nuk di nëse e kanë denoncuar. Vajza është në Fier me të ëmën”, u shpreh ai.
Edhe një fqinje e familjes ka dhënë detaje për mënyrën se si ndodhi ngjarja. Sipas saj, 17-vjeçarja ishte ftuar nga adoleshentet me pretekstin e një sqarimi, por më pas ishte dërguar në një banesë, ku dyshohet se u dhunua.
Fqinja tregoi se vajza fillimisht nuk kishte treguar asgjë në shtëpi dhe kishte thënë se nuk ndihej mirë. Vetëm më vonë u kishte rrëfyer prindërve atë që kishte ndodhur, të cilët më pas bënë denoncim në polici.
Sipas saj, pasojat psikologjike kanë qenë të rënda.
“Një javë ka qenë në spital në psikiatri. Nga dhuna ka kaluar në depresion”, deklaroi fqinja, duke shtuar se familjarët kishin shkuar disa herë në polici dhe kishin marrë përgjigjen se çështja ishte në ndjekje nga Prokuroria.
Publikimi i videos një muaj pas ngjarjes ka rikthyer rastin në qendër të vëmendjes dhe ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.

















































